
Një 41 vjeçar shqiptar është ekstraduar nga Belgjika në Shqipëri, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në pranga ka rënë Edson Jozwik alias Edson Pjetri, 41 vjeç, i cili kërkohej nga GJKKO për disa akuza të rënda: Trafikim i lëndëve narkotike, Pastrimi i parave dhe Grup i strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve të SPAK, Pjetri dyshohet se gjatë periudhës qershor–nëntor 2020 ka qenë pjesë e një rrjeti që trafikonte rreth 160 kg kanabis nga Shqipëria drejt Malit të Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme të datës 15 maj 2024, atij i ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”. Pas ekstradimit, 41-vjeçari do të përballet me drejtësinë shqiptare.
"Vijon bashkëpunimi me homologët për finalizimin e ekstradimeve të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të kapur jashtë vendit. Ekstradohet nga Belgjika, një shtetas i akuzuar nga GJKKO, si pjesëtar i një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u finalizua ekstradimi nga Belgjika në Shqipëri, i shtetasit E. J. alias E. P., 41 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 15.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “Grup kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë periudhës qershor-nëntor 2020, ka trafikuar rreth 160 kg lëndë narkotike cannabis sativa, nga Shqipëria në Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian. Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve", njofton policia.
Lini një Përgjigje