
Policia italiane ka sekuestruar 85 kilogramë kokaine që vinte nga Ekuadori me një vlerë prej 7 milionë eurove.
Në pranga kanë rënë tre shqiptarë.
Policia italiane në Liguria u ka sekuestruar një sasi prej 85 kilogramë kokainë, e cila transportohej nga vendet e Amerikës Latine.
Droga ishte e fshehur në disa kontenierë me banane. Ajo që u ka rënë në sy karabinierëve italianë ishte simboli më të cilin ishte paketuar kokaina.
Çdo pako ishte shënuar me markën luksoze të modës ‘Luis Vuitton’.
Pas analizave në laborator droga e sekuestruar ka rezultuar e një cilësie shumë të pastër dhe sipas llogarive në treg arrin shifrën e më shumë se 7 milionë eurove.
Policia italiane nuk ka publikuar emrat e qytetarëve shqiptarë që kanë rënë në pranga. Ata janë arrestuar teksa kishin hyrë në zonën e doganës për të kryer procedurat e ngarkesës me banane.
Droga dyshohet se është nisur nga Ekuadori. Para mbërritjes në Itali, ngarkesa me banane dhe drogë ka kaluar doganën e Marokut. Kontenierët nga Ekuadori dhe Brazili në doganat e porteve italiane cilësohen si ngarkesa me ris dhe kontrollohen disa herë. Një muaj më parë në të njëjtin port u sekuestruan rreth 60 kilogramë kokainë e ardhur nga Brazili.
Lini një Përgjigje