TAGS-AT E JAVËS

Kronike17 Shkurt 2024, 15:21

Organizim vrasjesh dhe grup i strukturuar kriminal, arrestohet i riu me 3 emra në Vlorë; 2 të tjerë në kërkim

Shkruar nga Pamfleti

Organizim vrasjesh dhe grup i strukturuar kriminal, arrestohet i riu me 3 emra

Një 35-vjeçar është vënë në pranga në Vlorë, teksa janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij, pasi ishin duke planifikuar një vrasje.

Në kuadër të operacionit të koduar “Trekëndëshi”, përfundoi në pranga shtetasit Muharem Koroveshi alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj, 35 vjeç, banues në Vlorë.

Këta shtetas akuzohen për organizimin e një vrasjeje dhe grup të strukturuar kriminal.

Njoftimi:

Zhvillohet nën drejtimin e SPAK-ut operacioni policor i koduar “Trekëndëshi”, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, me mbështetje të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë dhe Tiranë, Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, zhvilluan operacionin policor të koduar “Trekëndëshi”, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për 3 shtetas.

Gjatë operacionit, u bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasin M. K. alias M. I. alias M. M., 35 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, në funksion të këtij vendimi penal u bë shpallja në kërkim e shtetasve L. Z. dhe E. Z.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin shkurt 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, pasi dyshohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje