Një vit pas vrasjes së studentes shqiptare 22-vjeçare, Ilaria Sula, familja e saj vijon të përballet me dhimbjen e humbjes dhe kërkesën për drejtësi.
Babai i saj, Flamur Sula, shprehet se ngjarja mund të ishte shmangur nëse do të kishte pasur një reagim tjetër nga nëna e autorit.
“Ndoshta Ilaria mund të ishte shpëtuar. Nëse nëna e vrasësit do të kishte ngritur alarmin në vend që ta ndihmonte të pastronte gjakun, gjërat mund të kishin shkuar ndryshe. Ajo është e rritur dhe, sipas mendimit tim, është më fajtore se djali i saj,” u shpreh ai.
E enjtja, 26 mars, shënon një vit nga krimi që tronditi opinionin publik. Sipas deklarimeve të të pandehurit në gjykatë, ngjarja ka ndodhur në fund të marsit, ndërsa familja Sula e lidh fillimin e kësaj tragjedie me datën 29 mars, kur Ilaria nuk u kthye më në banesë.
Autori i dyshuar ndodhet në burg në pritje të vendimit përfundimtar, ndërsa nëna e tij ka përfituar nga një marrëveshje me drejtësinë dhe është dënuar me dy vite burg për rolin e saj në fshehjen e trupit.
Ky vendim kundërshtohet nga Flamur Sula, i cili e konsideron të padrejtë.
“Tani ajo bën sikur qan, por kjo është e pabesueshme. Kjo nuk është drejtësi për mua. Dhimbja jonë nuk mbaron kurrë ky është dënimi ynë i përjetshëm,” thotë ai, duke theksuar se familja jeton çdo ditë me mungesën e vajzës.
Nëna e Ilarias, Gëzime Sula, e ka kujtuar të bijën përmes një mesazhi emocional në rrjetet sociale, ku e përshkruan si “yllin e saj të vogël” dhe “një engjëll të mrekullueshëm”.
Në përkujtim të saj, në qytetin e Ternit janë organizuar aktivitete ndërgjegjësuese kundër dhunës me bazë gjinore. Në “Casa delle Donne” u zhvillua një aktivitet me diskutime, lexime dhe prezantime artistike, ku u theksua nevoja për edukimin dhe sensibilizimin e të rinjve në luftën kundër dhunës.
Aktiviteti përfshiu edhe prezantimin e veprës artistike “Lule të Prera”, simbol i jetëve të ndërprera si pasojë e dhunës.
Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj autorit vijon. Në seancën e fundit ai ka dhënë detaje mbi krimin dhe mënyrën e fshehjes së trupit, ndërsa seanca e radhës është planifikuar të mbahet më 19 maj.
Qesharake: Një nënë, të fshehi të dashurën e djalit të sajë;të goditur për vdekje,në vënd që të telefononte urgjent për ti ofruar sa më shpejtë ndihmën e parë,për ti shpëtuar jetën.. Ky është dy herë krim,zonja kriminele,dhe nënë mbi mbi të gjitha fsheh viktimën e djalit,që tëvdiste,të njëjtin fat duhet të ketë dhe vetë kjo kriminele,burg të përjetshëm!!!