TAGS-AT E JAVËS

Kronike26 Shkurt 2026, 20:23

Nën masa të rrepta sigurie, Durim Bami mbërrin në Shqipëri 

Shkruar nga Pamfleti
Nën masa të rrepta sigurie, Durim Bami mbërrin në
Durim Bami mbërrin në Shqipëri 

Durim Bami ka mbërritur mbrëmjen e sotme në Shqipëri, pas ekstradimit nga Dubai, ku ishte arrestuar në tetor të vitit 2024.

Ndërkohë janë publikuar pamjet e shoqërimit të tij nga Aeroporti i Rinasit drejt IEVP nën masa të forta sigurie nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Bami ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të Gjykatës së Posaçme, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Sipas autoriteteve, ai konsiderohet një nga anëtarët e ashtuquajturës “banda e Niklës”.

Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Bami akuzohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Po sipas hetimeve, edhe vetë Bami ishte objektiv i planeve për atentat nga grupe të tjera kriminale. Në këtë kontekst, është përmendur edhe emri i Ervis Martinajt, i cili dyshohet se kishte ofruar 1 milion euro për eliminimin e tij.

Në shkurt të vitit 2021, Bami dyshohet se, në bashkëpunim me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën, kishte planifikuar vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, ky i fundit mik i Ervis Martinajt, i cili u vra në Tiranë.

Sipas SPAK, gjatë periudhës dhjetor 2019 – korrik 2020 dhe sërish në shtator 2020, Bami dyshohet se drejtonte dhe financonte një grup të strukturuar kriminal që kultivonte kanabis në zonat e Niklës dhe Bubqit. Ai akuzohet se administronte të gjithë aktivitetin kriminal, nga organizimi deri te sigurimi i kushteve për shmangien e kontrolleve.

Në ndihmë të tij, sipas hetimeve, ishte edhe ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina, tashmë i arrestuar, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se siguronin informacione të brendshme dhe ndihmonin në shmangien e ndërhyrjeve policore.

durim bami

Lini një Përgjigje