
Nën masa të larta sigurie kanë mbërritur në gjykatën e Durrësit të arrestuarit e Tempullit.
Ditën e sotme do të dalin para gjykatës 43 persona të arrestuar nga policia e Durrësit në kuadër të operacionit për goditjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike.
Një ditë më parë në gjykatën e Durrësit është caktuar masa e sigurisë për 6 të arrestuar të tjerë.
Sipas Policisë së Shtetit, në të gjitha qarqet e vendit janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve.
Nga megaoperacioni janë goditur një numër i madh shpërndarësish të lëndëve narkotike në disa qytete të vendit. Grupet kriminale të përfshirë merreshin me shitje të llojeve të ndryshme, nga kokaina deri tek llojet e tjera. Burimet thonë se gjithashtu janë kapur qindra doza kanabisi dhe shuma të mëdha parash, ndërsa në këtë veprimtari kriminale ka të përfshira edhe vajza.
Mësohet se është sekuestruar edhe kokainë, peshimi i të cilës nuk është bërë akoma për shkak të vijimësisë së operacionit. Ndërkohë gjatë tij është konstatuar edhe një lloj droge e re e cila vinte nga jashtë, kryesisht me postë, një lloj droge xhelatinoze.
Për të goditur këto grupe kriminale, janë kryer mbi 6 muaj hetime, mbajtje në vëzhgim dhe dokumentim me prova i veprimtarisë kriminale.
Lini një Përgjigje