
Një rrjet trafikimi kanabisi nga Shtetet e Bashkuara është zbuluar në Shqipëri, ku droga dërgohej përmes pakove postare. Gjatë muajit prill, janë zbuluar tetë raste të këtij lloj trafikimi, me mbi 15 kg kanabis të sekuestruara, që kishin përqindje të lartë THC.
Pako të dërguara nga SHBA-të janë gjetur në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke përfshirë Tiranën, Shkodrën, Fierin, Elbasanin dhe Vorën. Droga ishte fshehur në paketa që kalonin përmes Postës Shqiptare, duke shfrytëzuar këtë kanal për të kaluar kufirin.
Nga hetimi i këtyre rasteve, janë arrestuar 12 persona, ndërkohë që hetimet vijojnë për identifikimin e të tjerëve që mund të jenë të përfshirë. Rasti ka ngritur shqetësime për mënyrat e reja të trafikimit dhe përdorimin e sistemeve postare për dërgimin e kanabisit.
“Cannabis me postë nga SHBA, Prokuroria Tiranë zbulon tetë raste të trafikimit në një muaj, sekuestrohen mbi 15 kg me përqindje të lartë THC
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Postën Shqiptare kanë goditur vetëm gjatë muajit prill, tetë raste të trafikimit të cannabisit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Cannabisi, me përqindje të lartë THC transportohej nga SHBA-të drejt Shqipërisë nëpërmjet pakove postare, një fenomen i zbuluar nëpërmjet hetimeve proaktive dhe i shtrirë në pothuajse gjithë territorin e vendit.
Vetëm gjatë muajit të fundit, Prokuroria e Tiranës ka identifikuar raste të këtij lloj trafikimi në qytetet: Tiranë, Shkodër, Fier, Elbasan e Vorë. Ndërkohë që hetimet vijojnë për raste të tjera.
Deri më sot, në tetë rastet e zbuluara janë sekuestruar në total 15.2 kg cannabis me përqindje të lartë THC, ndërkohë që janë arrestuar dhe shpallur në kërkim si të implikuar në këtë veprimtari kriminale, 12 persona. Një pjesë prej tyre, janë arrestuar në flagrancë në momentin e marrjes në dorëzim të pakove me cannabis në degë të ndryshme të Postës Shqiptare.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Lini një Përgjigje