TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Korrik 2023, 12:13

Në kërkim për trafik droge, Gjykata e Lartë rrëzon ankimimin e indianit; do ekstradohet drejt SHBA-së

Shkruar nga Pamfleti
Në kërkim për trafik droge, Gjykata e Lartë rrëzon
Nitin Mishra (Ricky Sequierra)

Indiani Nitin Mishra, i njohur edhe me emrin Ricky Sequierra do të ekstradohet drejt SHBA-së pasi Gjykata e Lartë rrëzoi ankimimin e tij për të qëndruar në Shqipëri.

Mishra ishte shpallur në kërkim për trafik droge. 

Gjykata e Lartë në Shqipëri ka vendosur më 1 qershor 2023 mospranimin e rekursit të paraqitur nga shtetasi indian Nitin Mishra, i njohur edhe me emrin Ricky Sequierra kundër vendimit nr. 170, datë 02.03.2023, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm e cila ka aprovuar ekstradimin e tij në SHBA. Indiani Nitin Mishra (Ricky Sequierra) i kërkuar në SHBA për trafik droge dhe Ilaçesh.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 2154, datë 15.10.2022, vleftësoi të ligjshëm arrestimin e përkohshëm me qëllim ekstradimi të shtetasit Nitin Mishra alias Ricky Sequierra dhe caktoi masën e sigurimit personal "arrest në burg", për qëllim ekstradimi.

Kërkesa për ekstradim i është përcjellë nga Ministria e Drejtësisë, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila në vijim ka depozituar kërkesë për miratimin e ekstradimit, duke lejuar ekstradimin e shtetasit indian Nitin Mishra alias Ricky Sequierra nga Republika e Shqipërisë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokuroria kërkon që t'i dorëzohen shtetit amerikan edhe sendet që i janë sekuestruar shtetasit indian Nitin Nishra në momentin e arrestimit në datën 12.10.2022.

Arrestimi

Në zbatim të kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për arrestim, në datën 12.10.2022, policia gjyqësore në Komisariatin e Policisë Rinas ka arrestuar shtetasin indian Nitin Mishra alias Ricky Sequierra, lindur më 05.06.1991 në Lucknoë, Uttar Pradesh, Indi.

Udhëtimi i shtetasit Indian në vendin tonë, ndodhi pasi gjatë bisedave me agjentin e infiltruar të DEA-s, Shqipëria u la si pikë takimi për të diskutar për dërgesa e lëndës narotike.

NË VENDIMIN E ZBARDHUR, DETAJOHEN AKUZAT

Sipas kërkesës për ekstradim rezulton se shtetasi Nitin Mishra kërkohet të gjykohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dy raste të veçanta federale, për akuza të shumta që lidhen me posedimin dhe shpërndarjen e substancave të kontrolluara dhe konkretisht:

Gjatë një hetimi nga DEA, u zbulua se subjekti i kësaj kërkese ekstradimi, shtetasi indian Nitin Mishra ishte pjesë e një organizate transnacionale trafiku substancash narkotike, e cila po shpërndante në Shtetet e Bashkuara të Amerikës produkte të ndryshme të kontrolluara farmaceutike të falsifikuara nga vende të tjera. Sapo pakot voluminoze mbërrinin në SHBA, bashkëpunëtorët e vendosur brenda territorit të SHBA ua shpërndanin barnat klientëve pa pasur ndonjë recetë të ligjshme nga një mjek. Ky hetim ka identifikuar Mishra-n si pronari i një Website që shpërndan substanca të kontrolluara. Mishra përpunonte personalisht porositë e barnave, drejtonte pagesat dhe transportuesit e barnave që ndodheshin jashtë dhe brenda SHBA, që ata të dërgonin pako barnash nëpërmjet Shërbimit Postar. Në një rast, Mishra komunikoi drejtpërdrejt me një agjent të fshehtë të DEA-s (person i infiltruar), mori pagesa për barnat nga agjenti i fshehtë dhe drejtoi dërgimin e substancave të ndryshme të kontrolluara te agjenti i fshehtë në Distriktin Lindor të Wisconsin.

Nga një hetim i FDA-OCI dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, doli se subjekti i kësaj kërkese për ekstradim, shtetasi Nitrin Mishra, ishte pjesë e një organizate ndërkombëtare të trafikimit të drogës, e cila shpërndan medikamente farmaceutike të ndryshme, false dhe të kontrolluara, nga vende të ndryshme në Shtetet e Bashkuara. Sapo pakot me barna hynin në Shtetet e Bashkuara, bashkëpunëtorët me vendbanim në Shtetet e Bashkuara i ridërgonin ato pa recetë të vlefshme nga mjeku. Ky hetim ka identifikuar Nitin Mishra si pronarin e faqes në internet që shpërndante substancat e kontrolluara. Nitin Mishra personalisht i përpunonte porositë për barna, drejtonte pagesat për barnat dhe i udhëzonte transportuesit e tyre në Shtetet e Bashkuara t'i dërgonin pakot me barna nëpërmjet Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara. Mishra komunikonte drejtpërsëdrejti me individë në Distriktin e Vermontit, merrte pagesat nga një individ në Vermont dhe i drejtonte ngarkesat e substancave të ndryshme të kontrolluara drejt individëve në Distriktin e Vermontit.

trafik droge ilace gjykata e larte indian shba

Lini një Përgjigje