
SPAK ka dërguar për gjykim ish-oficeren e policisë gjyqësore Anila Dushku.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe paraqiti para Gjykatës kërkesën për dërgimin për gjykim në ngarkim të të pandehurës.
Oficerja e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Elbasanit mori ryshfet prej 1 mijë eurosh për të mbyllur një dosje. Dushku akuzohet për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Sipas SPAK, në analizë të provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak rezultoi e provuar se e pandehura Anila Dushku ka kryer veprime aktive të kundërligjshme, të cilat konsistojnë në kërkimin dhe marrjen e përfitimit të paligjshëm (prej 1 000 eurosh) nga shtetasja H.Ll. kundrejt premtimit për të mbyllur çështjen në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a të Kodit Penal. Pasi u njoh me kërkesën e të pandehurës, shtetësja H.Ll i është drejtuar emisionit “Fiks Fare” për ta bërë publik rastin.
"Nga të dhënat konkrete të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për këtë procedim penal, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova, se ka qenë e pandehura Anila Dushku me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka pasur një rol aktiv të kundërligjshëm në bisedat me shtetasen H.Ll, duke i udhëzuar vendin dhe datën e takimit si dhe dorëzimin e shumës së parave”, thuhet në njoftimin e sotëm të SPAK.
Oficerja Anila Dushku, i mori 1 mijë euro 68-vjeçares Hava Lloga, e cila para disa vitesh u procedua dhe u dënua për ndërtim pa leje, për shkak se ndërtoi një banesë për vete dhe djalin në fshatin Qendër Librazhd me premtimin se do i mbyllte çështjen.
“Erdhi policia dhe mbushi letrat. Më thirri një oficere që quhet Anila, është oficere në Prokurorinë e Elbasanit. Ajo e ndoqi të gjithë procedurën. Tani më thotë dua 1 milionë lekë që të mbyll çështjen e djalit. Më tha e do djalin, e dua i thashë. Po e deshe më tha, që ta mbyll çështjen, më jep 1 mijë euro. E kam takuar dje te zyra në Prokurorinë e Elbasanit. Tani unë nuk e di se për ça e mbyll, letrat e tokës i kam unë dhe çuni s’ka asnjë letër, s’ka asnjë pëllëmbë tokë”, pohoi 68-vjeçarja.
Lini një Përgjigje