Një ish-punonjës i Kadastrës është arrestuar me urdhër të SPAK. Ilir Kapetani ka rënë në pranga pasi akuzohet se u merrte ryshfet qytetarëve për t'u mundësuar ish-pronarëve kompensimin. Në bazë të hetimeve të kryera, sipas SPAK janë dokumentuar të paktën 14 raste, në të cilat ish-punonjësi i Kadastrës ka marrë para qytetarëve të ndryshëm.
Mësohet se nga 10 punonjës, një prej tyre ka përfunduar në burg, ndërsa 9 të tjerë në ‘detyrim paraqitje’, ‘arrest shtëpie’ apo dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Ndërkohë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me aksionin që çoi në ndalimin e disa zyrtarëve të Agjencisë së Trajtimit të Pronave pas akuzave për korrupsion.
"Në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi Ilir Kapetani, me detyrë Inspektor i Shqyrtimit të Dosjeve pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, të paktën në katërmbëdhjetë raste u ka marrë qytetarëve të ndryshëm, trashëgimtarë të ish pronarëve, shuma parashë në shkëmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës.
Shtetasi I.K. dyshohet se ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal në katërmbëdhjetë raste, ndërkohë që shtetasit D.L., Xh.V., G.T., D.D., L.A., A. H., J.Z., V.B. dhe A. G., dyshohet se kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 20 datë 16 Mars 2023 ka vendosur.
Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin, I.K. si person i dyshuar për kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga nenet 259 i Kodit Penal (katërmbëdhjetë herë).
Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasit D.L. dhe G., si persona të dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 I Kodit Penal;
Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasit XH.V., G.T., D.D., L.A., A.H., J.Z. si persona të dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal;
Caktimin e masës së sigurimit personal “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parshikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim B. si person i dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.
Masat e sigurimit për shtetasit e sipërcituar, janë ekzekutuar në datën 20 Mars 2023, ndërkohë që është shpallur në kërkim shtetasi A.G."-njofton SPAK.
Lini një Përgjigje