TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Qershor 2024, 09:54

Mbushën Velipojën me hashash, shpallen në kërkim tre vëllezërit; vihen nën hetim dy punonjës të OSHEE-së (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Mbushën Velipojën me hashash, shpallen në kërkim tre
Operacion antidrogë në Velipojë

Mbi 24 mijë rrënjë kanabis sativa janë asgjësuar nga policia në Velipojë.

Policia ka shpallur në kërkim tre vëllezër, Marjan, Pierin dhe Luviq Ndrejaj, të cilët dyshohet se janë autorë të kultivimit të lëndës narkotike, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë dy punonjës të OSHEE.

Droga është zbuluar në fshatin Rrjoll, në vendin e quajtur “Maja e Zezë”, në kuadër të operacionit të koduar ‘Territori i Pastër’. Policia asgjësoi 24 759 bimë kannabisi.

'Vijon intensivisht megaoperacioni policor kombëtar i koduar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Nga kontrollet intensive të territorit, asgjësohen në Velipojë, 24 759 bimë cannabisi.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 shtetas (vëllezër), të dyshuar si autorë të kultivimit të këtyre bimëve.

Procedohen në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës, 2 punonjës të OSHEE-së.

Në vijim të megaoperacionit kombëtar policor, të koduar “Territor i pastër”, u evidentua dhe u godit 1 rast tjetër i kultivimit të bimëve narkotike, në Velipojë.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe me Komisariatin e Shkodrës, në fshatin Rrjoll, në vendin e quajtur “Maja e Zezë”, gjetën dhe asgjësuan 24 759 bimë cannabisi. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve profesionale policore:

-u identifikuan dhe u shpallën në kërkim autorët e dyshuar të rastit, shtetasit M. N., 30 vjeç, P. N., 36 vjeç, dhe L. N., 32 vjeç, të tre banues në fshatin Rrjoll;

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit T. Sh., 61 vjeç, dhe P. M., 61 vjeç, të dy banues në Velipojë, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk kanë konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike që ishte krijuar për këtë veprimtari kriminale.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.', njofton policia.

marjan pierin dhe luviq ndrejaj velipojë

Lini një Përgjigje