
Një histori e pazakontë është zbuluar në Kukës. 21 vite më parë një burrë i identifikuar si Xhevit Sopaj ka regjistruar në dokumente si vajzën e tij, identitetin e një fëmije të mitur që nuk ekzistonte.
Vite më vonë falsifikoi sërish dokumente, për ta shpallur të vdekur këtë fëmijë.
"Si rezultat i hetimeve disamujore, me metoda proaktive, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Kukësit, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Regjistri", si rezultat i të cilit:
-u arrestua shtetasi Xhevit Sopaj, 57-vjeç., banues në Kukës, për veprat penale "Mashtrimi" dhe "Falsifikimi i vulave i stampave dhe i formularëve";
-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit A. E., me profesion mjek, dhe A. E., administrator i një agjencie funerale.
Nga provat e siguruara dyshohet se për të përfituar pension më të lartë bazuar në ligjin e kohës, shtetasi Xh. S. ka falsifikuar dokumente, 21 vjet më parë, dhe ka regjistruar brenda trungut të tij familjar (si të bijën), identitetin e një shtetaseje të mitur e cila nuk ekzistonte. Gjithashtu, në vitin 2021, 57-vjeçari ka falsifikuar skedën për vdekjen e kësaj shtetaseje, me qëllim çregjistrimin nga regjistri i Gjendjes Civile.
Për shtetasit A. E. dhe A. E. vijojnë hetimet, me qëllim provimin nësë këta shtetas kanë qenë apo jo të implikuar në nxjerrjen e dokumenteve false që ka përdorur shtetasi Xh. S."-njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje