
Ilir Proda, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka reaguar 24 orë pas atentatit mafioz në Shkodër, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Në një mesazh drejtuar Policisë së Shkodrës, Proda shpreh mirënjohjen për angazhimin e strukturave lokale, jo vetëm për arrestimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, por edhe për shkatërrimin e një baze kriminale.
“Reagimi juaj i menjëhershëm, i guximshëm dhe profesional rezultoi me kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë të autorit të krimit të djeshëm, ngjarje e cila dëshmoi sërish rëndësinë e misionit të Policisë, si përballja e parë frontale me krimin dhe kontingjentin e rrezikshëm të tij.
Këtë vendosmëri e dëshmoi edhe goditja në lagjen “Guerrile”, ku informacioni i administruar me konfidencialitet të plotë dhe profesionalizmi operacional çuan në shkatërrimin e një baze kriminale, të pajisur me arsenal armësh dhe sende të tjera në dispozicion të krimit. Gjithashtu, çuan në identifikimin e 2 përkrahësve të autorit të krimit të djeshëm”, thekson Proda.
Në vijim, ai shprehu ngushëllimet për familjarët e 2 viktimave dhe i uroi shërim të shpejtë të plagosurve.
“Policia i ka vënë të gjitha kapacitetet e saj më të mira hetimore dhe operacionale në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me krimin e djeshëm, por edhe të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në qarkun Shkodër.
Garantoj qytetarët e qarkut Shkodër dhe të mbarë Shqipërisë se beteja jonë për sigurinë e tyre është e përditshme dhe e palëkundur, dhe se po kryhet një punë intensive hetimore dhe operacionale për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të zbardhur ato të ndodhura.
Gjithashtu, i ftoj qytetarët të bashkëpunojnë intensivisht me strukturat e Policisë, pasi vetëm në këtë mënyrë përmbushet objektivi ynë madhor i përbashkët: siguria publike”, thuhet në mesazhin e Prodës.
Reagimi i kreut të Policisë së Shtetit vjen në një kohë kur brenda 4 ditësh, kryeqendra e Veriut, u godit nga dy ngjarje të rënda kriminale, që lanë pas 3 të vdekur dhe dy të plagosur. Në të dy rastet, krimi goditi në zemër të Shkodrës, duke treguar ‘forcën’. Gjithsesi në reagimin e tij, Ilir Proda përmend vetëm ngjarjen e dytë, atë të ndodhur mëngjesin e së hënës, ku policia arrestoi autorin e dyshuar, ndërsa për ngjarjen e parë ku u ekzekutua 34-vjeçari Kristian Kola dhe autorët u larguan të pashqetësuar, Drejtori i Policisë së Shtetit e anashkalon.
Lini një Përgjigje