
Dy aksidente tragjike kanë ndodhur mbrëmjen e sotme në Elbasan dhe në aksin Levan-Vlorë.
Sa i takon aksidenti në Elbasan, ai ka ndodhur në Njësinë Administrative Tregan. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se një automjet ka përplasur një këmbësor i cili po qarkullonte në rrugën rurale.
Burime jo zyrtare konfirmuan se i plagosur ka mbetur një 55-vjeçar, i cili është në gjendje të rëndë, për shkak të frakturave të pësuara nga aksidenti.
55-vjeçari , banor i fshatit Kyçyk është dërguar për trajtim të specializuar në spitalin e Traumës. Drejtuesi i automjetit sipas informacioneve paraprake pas aksidentit është larguar nga vendngjarja.
Një aksident i ngjashëm ka ndodhur në Levan-Vlorë, ku për fat të keq ka humbur jetën një person. Automjeti me drejtues shtetasin Blerim Sinanaj 40 vjeç, banues në Vlorë, ka përplasur një shtetas, i cili ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e personit që ka ndërruar jetë dhe sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Lini një Përgjigje