Autoritetet gjermane zbuluan mbi 6.300 bimë kanabisi në plantacione ilegale në Nordrhein-Westfalen. Të pandehurit, shtetas shqiptarë, u dënuan me disa vite burg…
Gjykata Rajonale e Dyseldorfit ka dënuar me disa vite burg një bandë prej shtatë personash për kultivim dhe tregtim të organizuar të kanabisit në Gjermani. Vendimi vjen rreth një vit pasi hetuesit sekuestruan më shumë se 6.300 bimë kanabisi në plantacione ilegale gjatë muajit maj 2025.
Sipas aktakuzës, 7 shtetas shqiptarë të moshës nga 21 deri në 51 vjeç akuzoheshin për kultivim komercial të kanabisit, trafikim të organizuar të sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale.
Prokuroria deklaroi se grupi kishte ngritur disa plantacione të mëdha kanabisi në landin Nordrhein-Westfalen, përfshirë zonat Dormagen, Lüdenscheid dhe Bad Salzuflen.
Gjykata dënoi katër të akuzuarit kryesorë me dënime nga 3 vjet e 7 muaj deri në 7 vjet burg, në varësi të rolit të tyre në aktivitetin kriminal. Një tjetër anëtar i grupit mori dënim me dy vjet e gjysmë burg, ndërsa dy të tjerë u dënuan me nga dy vjet e dhjetë muaj. Vendimet nuk kanë marrë ende formë të prerë.
Sipas aktakuzës, dy drejtuesit e grupit kishin marrë me qira prona dhe kishin rekrutuar pesë bashkëkombës për të menaxhuar plantacionet në mënyrë të vazhdueshme. Punëtorëve, të moshës nga 21 deri në 34 vjeç, u ishte premtuar pagesë prej 10.000 eurosh për çdo korrje. Çdo cikël prodhimi, sipas hetimeve, siguronte rreth 150 kilogramë kanabis.
Prokurorja Meike Beckmann tha se plantacionet u zbuluan gjatë një hetimi tjetër penal që kishte të bënte me një rrëmbim të planifikuar në ambientet e trafikut të drogës. Në atë rast ishin akuzuar dy mercenarë letonezë, të cilët dyshohej se ishin angazhuar nga një bos aziatik i drogës për të rrëmbyer një person. Ata u identifikuan nga një patrullë policie dhe u arrestuan.
Hetimet e mëtejshme çuan më pas tek personat e dënuar në këtë proces. Autoritetet i mbajtën nën vëzhgim për disa javë dhe në fillim të majit 2025 ndërhynë duke çmontuar plantacionet ilegale.
Sipas hetuesve, plantacionet konsumonin mesatarisht rreth dy milionë kilovat-orë energji elektrike në vit, një sasi e barabartë me konsumin vjetor të rreth 400 familjeve. Energjia elektrike dyshohet se merrej në mënyrë të paligjshme nga rrjeti energjetik.
Lini një Përgjigje