TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Shkurt 2026, 15:59

Krijoi skemë mashtruese fiskale, arrestohet biznesmeni në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Krijoi skemë mashtruese fiskale, arrestohet biznesmeni në Tiranë
Foto ilustruese

Prokuroria thekson se Gjergji Fela dyshohet të ketë pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari të paligjshme, duke përdorur subjektin tregtar në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese.

Biznesmeni i ndërtimit, Gjergji Fela është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Shtetit, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në një skemë mashtruese fiskale që lidhet me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe fshehjen e të ardhurave.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, arrestimi i shtetasit Gj.F. u krye në kuadër të procedimit penal nr. 5787 të vitit 2024. Ai dyshohet për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)” dhe “Fshehje e të ardhurave”, të parashikuara nga nenet 144/a dhe 180 të Kodit Penal.

Nga hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, ka rezultuar se subjekti tregtar “Dorina Fela” ka kryer shitje të dyshuara fiktive në vlerën totale prej 149,875,867 lekësh. Si pasojë, sipas Prokurorisë, i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm i përllogaritur në vlerën 62,670,861 lekë.

Autoritetet bëjnë me dije se këto veprime janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin. Sipas hetimeve paraprake, këto veprime kanë dëmtuar drejtpërdrejt interesat financiare të shtetit.

Prokuroria thekson se Gjergji Fela dyshohet të ketë pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari të paligjshme, duke përdorur subjektin tregtar në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese.

Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës së dyshuar mashtruese dhe pasojave financiare të saj. Autoritetet sqarojnë se çdo person i dyshuar prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Tiranë:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u rrestua shtetasi Gj.F., i dyshuar për veprat penale ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)’ dhe ‘Fshehje e të ardhurave’ parashikuar nga nenet 144/a dhe 180 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penl nr.5787 të vitit 2024, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorin e Hetimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, rezultoi se subjekti tregtar ‘Dorina Fela’, ka kryer shitje të dyshuara fiktive në vlerën totale 149,875,867 lekë, duke shkaktuar një dëm të përllogaritur ndaj buxhetit të shtetit në vlerën 62,670,861 lekë.

Këto veprime janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skemë mashtruese fiskale, që synonte përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin, duke dëmtuar interesat financiare të shtetit.

Në kuadër të këtij procedimi penal, u ndalua shtetasi Gj.F., i dyshuar për përfshirje në kryerjen e veprimeve të paligjshme. Nga veprimet e deritanishme, rezultoi se ky shtetas ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari, duke përdorur subjektin në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese.

Hetimet vijojnë në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare të saj.

biznesmeni arrestim tirane

Lini një Përgjigje