
Forcat Operacionale dhe Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë zhvilluar mbrëmjen e djeshme kontrolle të imtësishme në IEVP Fushë Krujë, në kuadër të masave të shtuara për sigurinë dhe parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara.
Aksioni është ndërmarrë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, ndërsa kontrollet janë drejtuar nga Drejtori i Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta.
Kontrollet janë ushtruar në ambientet e brendshme dhe të jashtme të institucionit, përfshirë sektorin e observimit, regjimin e brendshëm dhe brezin e butë të sigurisë.
Gjatë verifikimeve, në zonën mes Godinës A dhe ambienteve të observimit, efektivët kanë gjetur të fshehura brenda një çorapeje një celular tip “Samsung”, një fishe karikimi dhe një palë kufje.
Sipas njoftimit zyrtar, materialet e gjetura janë referuar për veprime të mëtejshme hetimore dhe proceduriale, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Lini një Përgjigje