
Një sasi prej mbi 32 kilogramësh kanabis është sekuestruar nga Policia Kufitare në Devoll, duke parandaluar kështu një tentativë për trafikim drejt Greqisë.
Dy persona u pikasën nga patrullat në zonën kufitare mes fshatrave Vidohovë dhe Ponçarë, por arritën të largohen duke braktisur çantat me drogë pranë kufirit. Njëri prej tyre është identifikuar dhe po vijojnë kërkimet për kapjen e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë.

"Policia Kufitare në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë ka parandaluar një tentativë për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë, shkruan A2 CNN. Gjatë patrullimit në zonën kufitare midis fshatrave Vidohovë dhe Ponçarë të Devollit, pranë piramidave 43 dhe 44, shërbimet policore konstatuan dy persona që transportonin çanta të dyshuara.
Pasi panë shërbimet e policisë, shtetasit braktisën çantat dhe u larguan në drejtim të thellësisë së territorit grek. Pas këqyrjes së çantave, grupi hetimor zbuloi 20 pako me rreth 32.3 kilogramë lëndë të dyshuar kanabis.
Në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Migracionit Korçë, është bërë i mundur identifikimi i njërit prej personave të përfshirë, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e tij dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore. Policia thekson vendosmërinë për të luftuar trafikimin e lëndëve narkotike dhe për të garantuar sigurinë në kufijtë e vendit", njofton policia.

Lini një Përgjigje