Silvestër Driza, 30-vjeç, ndodhej në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme për çështjen e inceneratorëve.
Ai është arrestuar sot nga autoritetet gjermane.
Ndalimi i tij u bë gjatë operacionit të koduar Freiburg, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. Sipas një njoftimi të policisë shqiptare, Driza dyshohet se në vitin 2017 ka themeluar një shoqëri fiktive me fushë veprimtarie trajtimin e integruar të inerteve dhe ka lëshuar fatura me çmime të larta, deri në fund të vitit 2018, kur i është miratuar leja ligjore për të kryer ketë veprimtari.
Për 30-vjeçarin Driza, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën arrest në burg për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, ose të veprimtarisë kriminale. Emri i tij u përmend në nëntor të vitit të shkuar, kur SPAK lëshoi 11 urdhër arreste të reja për inceneratorin e Fierit. Mes tyre Driza përcaktohet si administrator i firmës Sili SHPK, i cili kishte marrë pjesë në këtë skemë.
Sipas dosjes së SPAK, transaksionet e kryera bashkë me dy kompani të tjera, janë fiktive dhe janë krijuar posaçërisht për të mbuluar natyrën e vërtetë të këtyre transaksioneve. Kompanitë me administrator Juri Imeraj dhe Silvestër Driza kanë të njëjtën adresë, në Durrës. Në dosje thuhet se asnjë nga shoqëritë nuk ka pasur kapitalin e nevojshëm dhe numrin e punonjëseve për të kryer punimet sipas faturave që kanë deklaruar. Faturat e lëshuara nga tre shoqëritë janë të firmosura nga i njëjti person, sipas akt-ekspertimit grafik të kryer nga specialistët. Policia tashmë shprehet se Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Wiesbaden/Gjermani, për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
Lini një Përgjigje