
Prokuroria e Fierit ka dhënë pretencën për 3 personat e akuzuar, Albi Mecini, Ervis Cukali dhe Arafat Manërkolli, se po transportonin një sasi prej më shumë se 21 kg tritol në qytetin e Fierit për të kryer një atentat.
Prokuroria ka kërkuar dënimin me 18 vite burgim për Albi Mecinin, i cili përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe nëse dënohet nga gjykata do qëndrojë pas hekurave 12 vite.
Për Ervis Cukali, Prokuroria kërkoi dënimin me 14 vite burgim. Ai përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe nëse dënohet nga gjykata do qëndrojë pas hekurave 9.4 vite.
I njëjti dënim si për Ervis Cukalin u kërkua edhe për Arafat Manërkolli, i cili do qëndrojë pas hekurave 9.4 vite nëse dënohet.
Aksioni u krye më 28 shtator të vitit 2023 në qytetin e Fierit, pas informacioneve në rrugë operative, ku të dyshuarit u kapën me 21,6 kg lëndë eksplozive.
Kujtojmë se Albi Mecini u arrestua më 30 gusht 2023 nga policia, teksa ishte nisur për të kryer një atentat me shpërthim të komanduar. Mecini rezulton të ketë ndihmuar Admir Tafilin dhe 3 të tjerë të arratisen nga burgu Drenovës në vitin 2013.
Ai është nën akuzë gjithashtu për rrëmbimin e Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovarit nga Saranda.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, kërkon dënimin me 14 deri në 15 vite burgim për secilin prej tre shtetasve A.M., Ar.M. dhe E.C., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin tentuan të transportonin 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit dy vite më parë.
Shtetasit në fjalë, janë hetuar e gjykuar në kuadër të procedimit penal nr.1070, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 278/7 dhe 236/2 të Kodit Penal.
Nga hetimi dhe gjykimi i këtij procedimi penal rezultoi e provuar se, të pandehurit A.M., Ar.M. dhe E.C., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datë 28.09.2023 kanë poseduar dhe transportuar 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit.
Në diskutimet përfundimtare Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier kërkoi:
1 Deklarimin fajtor të të pandehurit Albi Mecini për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i K.Penal dhe dënimin e tij me 15 vjet burgim;
– Deklarimin fajtor të të pandehurit Albi Mecini për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer me dhunë, e parashikuar nga neni 236/2 i K.Penal dhe dënimin e tij 4 vjet me burgim.
– Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin e shtetasit Albi Mecini me 18 vjet burgim.
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ervis Cukali për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 14 vjet burgim;
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 9 vjet 4 muaj burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Arafat Manërkolli për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i K.Penal dhe dënimin e tij me 14 vjet burgim.
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 9 vjet e 4 muaj burgim.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe që gjatë ushtrimit të detyrës kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin.
Lini një Përgjigje