Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi akuzohen se i kanë marrë një personi 60 mijë euro nëpërmjet mashtrimit.
Hetimet nisën pas kallëzimit të një 34-vjeçari, i cili kishte rënë pre e një mashtrimi të organizuar përmes një platforme komunikimi online, ku iu zhvatur një shumë e konsiderueshme parash.
Sipas policisë, autorët kishin studiuar paraprakisht lëvizjet e viktimës. Njëri prej tyre kishte komunikuar me 34-vjeçarin në rrjetet sociale, duke u prezantuar në mënyrë të rreme si një person i afërt me familjen e tij. Duke pretenduar se ndodhej në një situatë emergjente, ai i ka kërkuar shumën prej 60 mijë eurosh.
Duke besuar se po ndihmonte një të afërm, 34-vjeçari ka dorëzuar në para cash të gjithë shumën tek shtetasi N. V., pa qenë në dijeni se po bëhej pjesë e një skeme mashtrimi.
Në kuadër të operacionit, policia arrestoi: N. V., 25 vjeç, i cili dyshohet se ka marrë shumën e parave dhe S. F., 30 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë aktivitet kriminal.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim Florian Gjergji., 43 vjeç, i cili dyshohet se ka pasur rol kyç në organizimin dhe realizimin e mashtrimit. Policia njofton se po vijojnë veprimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
"Finalizohet operacioni i koduar “Wrong Idea”, si rezultat i hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike, u finalizua operacioni i koduar “Wrong Idea”.
Operacioni, rezultat i hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas kallëzimit nga një 34-vjeçar, se ishte mashtruar për dhënien e një shume parash.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtetasit N. V., 25 vjeç dhe S. F., 30 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi F. Gj., 43 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se 34-vjeçari, pasi është mashtruar gjatë komunikimit nëpërmjet një platforme komunikimi, nga një shtetas që i ka kërkuar 60 000 euro, duke iu prezantuar si i afërm i tij (biznesmen), i ka dhënë shumën e parave shtetasit N. V., i cili ka bashkëpunuar me shtetasit S. F. dhe F. Gj., për këtë rast.
Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj rasteve të mundshme të mashtrimit nëpërmjet aplikacioneve të komunikimit apo rrjeteve sociale. Për çdo rast dyshimi, njoftoni menjëherë Policinë e Shtetit.", njofton policia.
Lini një Përgjigje