Një 32-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës pasi u kap në flagrancë duke marrë një pako me pjesë armësh në një degë postare në rrugën "Asim Vokshi".
Sipas policisë, pjesët e gjetura në pako dyshohet se janë trafikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar "Delivery", të zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve.
"Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, të kryera pas indicieve për një rast të trafikimit të pjesëve të armëve të zjarrit, nëpërmjet shërbimit postar, nga ShBA-ja në Shqipëri, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar 'Delivery'. Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 32 vjeç, banues në Tiranë, teksa merrte një pako me pjesë armësh, në një degë postare në rrugën 'Asim Vokshi'. Pjesët e gjetura në pako dyshohet se janë trafikuar nga ShBA-ja.
Gjatë operacionit u sekuestruan një tytë arme zjarri, një silenciator, dy krehra dhe pjesë të tyre, si dhe dy telefona celularë.
Policia njoftoi se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje