Në qytetin e Kartagjenës, në Kolumbi, tre ditë më parë u arrestua një 33-vjeçar nga Tropoja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Almir Gjidiaj akuzohej nga GJKKO, si pjesëtar i një organizatë kriminale për trafikim të armëve.
Roli i tij kryesor ishte të drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi.
Por pas arrestimit të tij, sot është ndaluar i vëllai. Ai është arrestuar në Britani me urdhër të SPAK, për trafik armësh. Në pranga ka rënë Alban Gjidiaj, 28 vjeç.
Ai kërkohet nga SPAK nën dyshimin se ishte pjesë e një grupi kriminal të cilët në bashkëpunim në 10 Prill 2023 tentuan kalimin e një sasie armësh dhe municioni drejt Britanisë së Madhe. Alban Gjidiaj është ndaluar nga policia Metropolitane e Londrës në zonën e Barnet në veri të kryeqytetit britanik.
Gjykata e pranoi kërkesën që Gjidiaj ta ndjekë procesin e ekstradimit me kusht pas dorëzimit të pasaportës dhe një garancie monetare 5.000 stërlina ofruar nga një i afërm. Ai do të rikthehet në këtë gjykatë më 26 Shkurt.
Në Gusht të vitit të shkuar përmes operacionit ‘Inkorporimi’ prokurorët e SPAK dhe Agjentët e BKH në bashkëpunim ne skuadrën operacionale arrestuan në Tiranë tre persona. U sekuestruan një sasi armësh të cilat fshiheshin nëpër mobilie e dërgoheshin me furgonë drejt Anglisë.
Arsenali i armëve të sekuestruara përbëhej prej 25 armë zjarri qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike.
Lini një Përgjigje