
Policia gjeti ditën e djeshme një motor të djegur në fshatin Fikas të Mulletit, i cili dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët në atentatin me katër të plagosur në Lundër. Por, nuk është gjetur asnjë e dhënë që mund të ndihmojë hetuesit.
Ekspertët kriminalistikë shpresuan në një përftim të mundshëm të mbetjeve biologjike apo gjumë gishtash për të shkuar tek identifikimi i atentatorëve, por shkrumbimi thuajse i plotë e bëri të pamundur gjetjen e një prove të vlefshme. Hetuesit janë të përqendruar në këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë përgjatë zonës ku ndodhi atentati, por edhe përgjatë autostradës Tiranë-Elbasan, nga ku autorët dyshohet të jenë larguar pasi djegies së motorit.
Sipas policisë, motori i autorëve është para në fshatin Arbanë të Tiranë, para se të kryente atentatin dhe ka ndjekur rrugët dytësore për të hyrë në Unazën e Madhe.
Ndërkohë, në kamerat e sigurisë që janë hapur, ka rezultuar se ata kanë qenë të dy të maskuar me skafandra, por këto të fundit nuk janë gjetur në zonën ku u dogj motori.
Vijon të mbetet pistë kryesore nga policia dhe prokuroria ajo e ngatërrimit të objektivit për një germë të vetme në targën e makinës. Shënjestër dyshohet të ketë qenë bashkëshortja e Roan Brahimit, për shkak se përdorte tip të njëjtë makine me atë që udhëtonin katër personat që mbetën të plagosur. Dy prej të lënduarve ishin vëllezër dhe të mitur në moshë.
Atentatin në Lundër të Tiranës, hetuesit e lidhin me atë të ndodhur në Lezhë rreth një orë para tij, po mbrëmjen e së enjtes. Në fshatin Pllanë u ekzekutua me breshëri plumbash nga persona të paidentifikuar babai i Roan Brahimit, Gjovalin Prendi. Hakmarrja mbetet pista kryesore, për shkak të të kaluarës së Roan Brahimit, si i përfshirë në disa vrasje dhe grupe kriminale. Majin e vitit të kaluar, ai u vra në Athinë në sy të bashkëshortes dhe djalit të tyre të mitur.
Lini një Përgjigje