TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Prill 2025, 14:38

A ishin të lidhura atentatet në Lezhë dhe Tiranë? Policia kontakte me palën greke, verifikim itinerarit të “G Class”-it

Shkruar nga Pamfleti

A ishin të lidhura atentatet në Lezhë dhe Tiranë? Policia

Policia kontroll kamerave të sigurisë...

Vijon të ketë ende shumë mister lidhur me ngjarjet e së enjtes që tronditën vendin. Dy atentate me 1 të vdekur dhe 4 të plagosur ndodhën në Tiranë dhe në Lezhë, ndërkohë që policia nuk ka asnjë të dhënë mbi autorët e mundshëm.

Pista e parë e hetimit është ajo që sulmi të jetë bërë nga i njëjti grup. Gjovalin Prendi u vra në lokalin e tij, nga persona të armatosur, të cilët duket se e kishin ndjekur prej kohësh. Ai është babai i Sidorel Prendit, i njohur si Roan Brahimi, i cili u vra një vit më parë në mes të Athinës.

Por, 45 minuta pas sulmit ndaj të moshuarit, një atentat akoma dhe më i frikshëm ndodhi në Tiranë. Dy persona që udhëtonin me motor kanë hapur zjarr ndaj një mjeti G Class, i cili po lëvizte në drejtim të Lundrës.

Nga ky atentat mbetën të plagosur shoferi i mjetit, Arenc Stafa 34 vjeç, Kian Mullahi 19 vjeç, dhe dy fëmijët e mitur 11 dhe 17 vjeç të Vesel Demirajt, pronarit të kompanisë së sigurisë “Pelikani Security”.

Edhe pse fillimisht u duk për dy ngjarje të ndryshme, nga policia rrodhën të dhëna se mund të jetë një ngjarje akoma më e rëndë. Pranë familjes Demiraj jeton bashkëshortja e Roan Brahimit. Duke qenë se dhe ajo lëviz me një automjet po G-Class, ka dyshime se mund të ketë qenë ajo shënjestra.

Por edhe pse shihet si mundësi, autoritet janë duke mbledhur informacione. Mësohet se pritet të kërkohen të dhëna nga autoritetet greke, mbi hetimet që ata kanë kryer për vrasjen e Roan Brahimit. Ai u vra në një pritë të ngjashme. Dy persona me motor pritën sa të parkonte dhe e qëlluan për vdekje. Ai ishte në makinë me gruan dhe djalin e mitur. Duhet theksuar se Brahimi rezulton me dy gra, një në Greqi dhe një në Shqipëri.

Pritet që pala shqiptare të marrë të dhëna nga ajo greke nëse autorët e sulmit të së enjtes mund të jenë të njëjtë që bënë dhe sulmin në Greqi. Misteri është se përse në atentatin ndaj vetë Roan Brahimit, gruaja nuk u dëmtua dhe pse në Tiranë donin ta vrisnin bashkëshorten tjetër të tij?

Po ashtu, mësohet se policia ka mbledhur kamerat e sigurisë për të parë itinerarin që ka ndjekur makina G-Class ku udhëtonin familja e pronarit të “Pelikani Security”. Policia kërkon të shohë nëse atentatorët i kanë ndjekur që te lokali ku ata festuan datëlindjen e 11-vjeçarit, apo po i prisnin në hyrje të Unazës së Madhe. Kjo është një e dhënë e rëndësishme, pasi nëse rezulton se ata i kanë ndjekur, atëherë atentatorët e kanë ditur shumë mirë se kush ka qenë në makinë.

E njëjta gjë edhe në Lezhë, ku po shihen kamera të mundshme nëse kanë kapur lëvizjen e makinës me të cilën u vra 65-vjeçari. Dje ka pasur dhe kontrolle te zona e Krujës, pasi grupi i Ervis Martinajt është grupi rival i Roan Brahimit.

Policia po heton gjithashtu dhe mundësinë që shënjestër të ketë qenë kreu i kompanisë së sigurisë dhe atentatorët nuk e kanë ditur se atë ditë në automjetin G-Class po udhëtonin fëmijët. Por, ngjarja ka shumë mister brenda dhe me gjasë do të përfundojë si shumë atentate të tjera, në kalendat greke. /Pamfleti

Lini një Përgjigje