Policia ka vënë në pranga 23-vjeçarin turk, i cili goditi me makinë një 62-vjeçar, (roje parkingu) dhe u largua
Një incident i pazakontë ka ndodhur ditën e djeshme në Krujë ku dy turistë kanë tentuar të largohen nga një parking privat pa paguar biletën.
Policia ka vënë në pranga 23-vjeçarin turk, i cili goditi me makinë një 62-vjeçar, (roja i parkingut) dhe u largua. Ngjarja ndodhi pranë Kalasë së Krujës. Mësohet se i plagosuri Bujar Dedja ndodhet në spital. Ndërsa, për moskallëzim krimi është proceduar penalisht edhe një 23-vjeçar i cili ndodhej në makinë gjatë incidentit të rëndë.
Burime për mediat bënë me dije se sherri ka ndodhur ditën e djeshme, ku dy turqit kanë tentuar të largohen nga parkingu pa paguar dhe 62-vjeçari në përpjekje për t’i ndaluar, është kapur pas kofanos së makinës në lëvizje.
Turistët nuk kanë ndaluar dhe e kanë tërhequr me automjet rojen për disa metra. Ky i fundit ka rënë dhe është plagosur rëndë në rrugë.
“Shtetasi turk Y. K., 23 vjeç u arrestua në Krujë, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me automjet shtetasin B. D., 62 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë është dëmtuar 62-vjeçari, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin turk R. S., 23 vjeç, pasagjer në automjet, për moskallëzim krimi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje