
Policia e Durrësit ka gjetur automjetin e përdorur për vrasjen e Ermir Dedjas një natë më parë në lagjen 18 në Durrës.
Sipas gazetarit Edison Vatnikaj, makina tip "Seat" u gjet e djegur në Vorë dhe besohet se targat ishin të vjedhura. Ndërkohë viktima është ndjekur nga një informator dhe është qelluar sapo ka parkuar makinën e tij tip “BMW”.
Mësohet se brenda mjetit të djegur totalisht është gjetur arma me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Po ashtu, po verifikohen lëvizjet e fundit të mjetit dhe nëse është arritur në zbulimin e ndonjë prove me vlerë.
Pavarësisht breshërisë së plumbave të shkrepur në pritën ndaj të riut, sipas burimeve rezulton se vetëm një plumb e ka kapur 29-vjeçarin çka i ka sjellë vdekjen e menjëhershme.
Viktima rezulton me precedent të mëparshëm penal. Dedja mbante kontakte me personazhe të botës së krimit, ku disa prej tyre janë në kërkim për ngjarje të rënda kriminale.
Ermir Dedja rezulton të ketë lidhje me Aldo Avdylajn, nipin e Astrit dhe Altin Avdylajt, krerëve të grupit kriminal me bazë në Shijak.
Aldo Avdylaj është ndërkohë në kërkim, i dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal dhe plane për të kryer vrasje.
I riu ishte me origjinë nga Shijaku, por jetonte në Durrës. Ai kishte jetuar kohët e fundit në Gjermani, ndërsa ishte i përfshirë në veprimtari kriminale.
Dedja mund të jetë vrarë për hakmarrje ose për shkak të pazareve të mundshme lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike.
Lini një Përgjigje