
Policia e Durrësit ka ngritur dy pista hetimi lidhur me atentatin ndaj 29-vjeçarit. Policia po heton për një konflikt për prishje pazaresh në fushën e narkotikëve dhe atë të larjes së hesapeve.
Burime nga grupi i hetimit thonë se viktima, Ermir Dedja, me origjinë nga Shijaku dhe banor i lagjes nr. 11 në Durrës, është person me precedent penal, pasi është arrestuar më herët për dy ngjarje: fillimisht në vitin 2015 për trafikim të lëndëve narkotike dhe në vitin 2017 për përkrahje të autorit të një plagosjeje në qytetin e Shijakut.
Kohët e fundit, Dedja dyshohet se ishte përfshirë në një grup kriminal në Durrës.
Sipas policisë, dyshohet se ai ka rënë në pritë në lagjen nr. 18 të Durrësit, teksa po shkonte të takonte disa shokë të tij. Grupi i hetimit nuk ka gjetur gëzhoja në vendin e ngjarjes, çka ka bërë që ekspertët e kriminalistikës të mendojnë se kemi të bëjmë me vrasës profesionistë, të cilët dyshohet ta kenë qëlluar 29-vjeçarin nga një automjet, ndërsa ky i fundit ishte duke lëvizur në këmbë.
Policia ka sekuestruar disa kamera sigurie në zonën ku ndodhi ngjarja dhe ka ngritur postblloqe në pjesë të ndryshme të qytetit.
Lini një Përgjigje