Publikohet fotoja e 29-vjeçarit Ermir Dedja, i cili u vra në një atentat në Durrës në orët e para të mëngjesit të sotëm. Sipas policisë, dyshohet se vrasja ka si motiv përplasjen mes grupeve kriminale.
Mësohet se i riu ka qenë duke zbritur nga makina e tij, kur autorët ende të paidentifikuar i zunë pritë duke e qëlluar me breshëri kallashnikovi.
Mësohet se ai fillimisht mbeti i plagosur dhe kanë qenë banorët e zonës në vendin e ngjarjes, të cilët e transportuan në spital, por për shkak të plagëve të marrë ai ndërroi jetë.
Po ashtu, mësohet se plumbat e kallashnikovit kanë prekur edhe qendrën shëndetësore, që ndodhej pranë vendit të ngjarjes.
Policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të ndodhur në zonë për të hedhur dritë mbi identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.
I riu, me origjinë nga Shijaku dyshohet se ditën e djeshme ka pasur konflikte me disa persona, të cilët i zunë pritë në lagjen ku ai banonte. Po ashtu raportohet se Ermir Dedja gjatë ditës së djeshme ka qenë në mbikëqyrje, duke ndjekur çdo lëvizje të tij.
Ermir Dedja rezulton të ketë lidhje me Aldo Avdylajn, nipin e Astrit dhe Altin Avdylajt, krerëve të grupit kriminal me bazë në Shijak.
Aldo Avdylaj është ndërkohë në kërkim, i dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal dhe plane për të kryer vrasje.
Lini një Përgjigje