
SPAK merr zyrtarisht nën hetim ish-drejtorin e burgjeve, Agim Ismailin. Ky i fundit është marrë nën hetim lidhur me atë që konsiderohet si tentativa e hakerimit të sistemit të SPAK. Ismaili u paraqit ditën e sotme në ambientet e SPAK, ku qëndroi për më shumë se 60 minuta.
Burimet nga SPAK bëjnë me dije për Report TV se ai u mor në pyetje në pyetje në praninë e një avokati pasi ndaj tij po zhvillohen hetimet për 3 vepra penale: "përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike", "grupi i strukturuar kriminal" dhe "kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal".
Disa muaj më parë janë arrestuar edhe dy persona, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj.
Gjoni akuzohet nga SPAK për përpjekje për të hyrë në email-et e tre prokurorëve të posaçëm, duke marrë disa të dhëna, por pa pasur qasje në dosje hetimore.
Hakerët tentuan të merrnin informacione nga kompjuterët e 3 prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, por sipas Prokurorisë, nuk arritën që të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT-së.
Ndërsa Rrokaj, ish-punonjësi i IMT, akuzohet se në bashkëpunim me Gjonin, tentuan të hyjnë në email-in e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, por pa sukses.
Të dy këta persona i kanë shpërndarë dokumentet që kanë arritur të marrin në persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë dy gazetarë, por edhe ish-kreu i burgjeve, Agim Ismaili si dhe Dritan Palikaj, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.
Ngjarja ndodhi më 12 mars dhe arrestimet u kryen brenda 24 orësh. Pajisjet dhe skedarët e përdorur për ndërhyrjen u sekuestruan nga autoritetet.
Sipas tyre, falë masave të sigurisë, nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili mbeti i pacënuar.
Lini një Përgjigje