Shoferi Arbër Xhaxhaj ka qenë i pirë dhe me shpejtësi shumë të lartë në krahun e lëvizjes Tiranë-Durrës.
Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme tek ura e Dajlanit në Durrës. Policia njofton se një automjet ka rënë nga mbikalimi dhe për pasojë ka ndërruar jetë pasagjerja 18-vjeçare.
Viktimë mbeti Vikena Greku, pasagjere, ndërsa i plagosuri është shtetasi Arbër Xhaxhaj. Ky i fundit ka qenë i pirë dhe me shpejtësi shumë të lartë në krahun e lëvizjes Tiranë-Durrës.
Xhaxhaj ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Gjithashtu, edhe 2 këmbësorë mbetën të dëmtuar nga aksidenti, të cilët pasi morën ndihmë mjekësore në spital janë larguar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
"Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.
Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve", njoftoi policia.
Pamjet nga vendi i ngjarjes, tregojnë se makina e bërë copë nga përplasja e fortë, aq sa është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për nxjerrjen e dy të rinjve që ndodheshin brenda automjetit.
26-vjeçari ka humbur kontrollin e automjetit dhe as mbrojtëset metalike të aksit rrugor nuk e kanë ndalur dot mjetin, i cili ka përfunduar poshtë Urës së Dajlanit.
Mësohet se në një pjesë të mbikalimit të Urës së Dajlanit janë duke u kryer punime në njërën korsi, ndërsa rruga ka qenë e pajisur me sinjalistikë dhe tabela paralajmëruese.
Nuk dihet ende nëse këto nuk janë dalluar nga drejtuesi i mjetit, duke çuar në një manovër të gabuar, apo nëse ka pasur rrethana të tjera që kanë ndikuar në aksident. Gjithsesi do të jetë grupi hetimor që do të zbardhë rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Lini një Përgjigje