
Një 30-vjeçar shqiptar, i cili më herët ishte akuzuar për vrasjen e policit Giorgos Lyggeridis në dhjetor 2023 në Rentis, është arrestuar në Greqi si pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikimin e kanabisit dhe kokainës në zonën e Atikës Perëndimore.
Sipas autoriteteve greke, shqiptari është një nga katër të arrestuarit e një operacioni policor që goditi një rrjet shpërndarjeje droge me bazë në Agia Varvara. Hetimet zbuluan se grupi përdorte një apartament në këtë zonë si pikë shpërndarjeje të lëndëve narkotike.
Dy prej të dyshuarve u arrestuan në Koridallos, pasi u kapën me sasi kanabisi të papërpunuar dhe të përpunuar, të cilat dyshohet se i kishin siguruar nga 30-vjeçari dhe një 27-vjeçar, i konsideruar si bashkëpunëtori i tij kryesor. Më pas, policia arrestoi edhe drejtuesin dhe zëvendësdrejtuesin e grupit në apartamentin në Agia Varvara.
Autoritetet theksojnë se 30-vjeçari ka një të kaluar të rëndë kriminale, duke përfshirë akuza për përdhunim, vjedhje, kundërshtim ndaj forcave të rendit, shkelje të ligjit për armët dhe disa raste të lidhura me narkotikët që nga viti 2014. Ai është hetuar më parë edhe për vrasje me dashje dhe grabitje.
Edhe anëtarët e tjerë të grupit rezultojnë me precedentë penalë. 27-vjeçari dyshohet për përfshirje në banda grabitjesh dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa një 34-vjeçar ishte arrestuar në vitin 2011 si pjesë e një organizate që transportonte sasi të mëdha kanabisi drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit dhe lidhjeve të mundshme me rrjete të tjera kriminale.
Lini një Përgjigje