
Një hapësirë e madhe toke publike në Vlorë, në zonën e ‘Shkollës së Marinës’, e cila ishte zaptuar në mënyrë të paligjshme dhe përdorej si parking, është liruar.
Policia bën të ditur se për këtë rast ka proceduar penalisht një person, që hiqej si pronari i tokës dhe drejtorin e Policisë Bashkiake të Vlorës, për veprën penale ‘Shpërdorim Detyre’.
Po ashtu bëhet e ditur se në mbështetje të Policisë Bashkiake, automjetet e parkuara në këto hapësira u tërhoqën me karrotrec, me qëllim lirimin e hapësirës publike.
"DVP Vlorë-Lirohet hapësira publike e zënë në mënyrë të paligjshme, në Vlorë. Procedohet penalisht një shtetas që kishte zaptuar këtë hapësirë, duke e kthyer në parkim privat, në mënyrë të kundërligjshme. Procedohet penalisht edhe drejtori i Policisë Bashkiake Vlorë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare si dhe Komisariati i Policisë Vlorë, në mbështetje dhe të Policisë Bashkiake, kanë kryer kontrolle në terren me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme dhe të shfrytëzuara si parkime private kundrejt pagesës.
Gjatë kontrolleve, në zonën e quajtur ish “Shkolla e Marinës”, në lagjen “10 Korriku”, u evidentua një rast ku në hapësirën publike ishin vendosur tabela dhe trarë elektrikë për ta shfrytëzuar si parkim privat me qëllim përfitimin e të ardhurave.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin R. F. (M)., 44 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Në mbështetje të Policisë Bashkiake, automjetet e parkuara në këto hapësira u tërhoqën me karrotrec, me qëllim lirimin e hapësirës publike", njofton policia.
Lini një Përgjigje