
Një rrjet i trafikut të kokainës, ku ishin të përfshirë shtetas italianë dhe shqiptarë, është goditur këtë të hënë nga policia italiane në disa provinca të vendit.
Operacioni, i koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Breshias, çoi në arrestimin e 12 personave të dyshuar si pjesë e organizatës kriminale, ndërsa baza logjistike e aktivitetit ndodhej në Rovato, në provincën e Breshias.
Aksioni u krye në orët e para të mëngjesit nga Karabinierët e Njësisë Hetimore të Komandës Provinciale të Breshias, nën koordinimin e Prokurorisë Antimafia të Breshias. Të arrestuarit akuzohen, sipas roleve të tyre, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të ngritur për trafik droge.
Hetimet kanë zbuluar një strukturë të organizuar që vepronte kryesisht në zonat e Breshias dhe Bergamos, por me lidhje edhe në rajone të tjera, veçanërisht mes Markeve dhe Pulias. Operacioni u shtri edhe në Bergamo, Ankona, Brindizi, Groseto dhe Mantova, ndërsa karabinierët kontrolluan edhe 13 persona të tjerë të dyshuar për lidhje me grupin.
Sipas hetuesve italianë, organizata përdorte një piceri në zonën e Breshias si mbulesë për trafikun me shumicë të kokainës. Për transportin e drogës, grupi dyshohet se përdorte automjete me ndarje të fshehta, të modifikuara për të shmangur kontrollet policore.
Mediat italiane e cilësojnë këtë operacion si një nga goditjet më të rëndësishme antidrogë të muajve të fundit në territorin e Breshias.
Gjatë fazave të mëparshme të hetimit, Karabinierët kishin arrestuar në flagrancë 11 persona dhe kishin sekuestruar rreth 3 kilogramë kokainë. Këto elemente, sipas autoriteteve italiane, forcuan dosjen hetimore dhe çuan në operacionin e zhvilluar këtë të martë.
Lini një Përgjigje