Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një prej personave të dyshuar për përfshirje në dhunimin e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Shkodër.
I arrestuari është Elis Çela, banues në lagjen “Kiras”. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka transportuar me automjet personin që ka goditur me një send të fortë drejtorin e AKU-së, Ramir Haderi.
Ndërkohë, policia ka identifikuar edhe personin tjetër të dyshuar si autorin kryesor të sulmit. Ai është shpallur në kërkim dhe vijojnë veprimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 21 majit në lagjen “Rus” të Shkodrës, ku Ramir Haderi u sulmua nga një person, i cili më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e goditjes, Haderi pësoi një dëmtim në vetull dhe, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, u kthye në banesë.
Sipas dyshimeve të deritanishme, sulmi mund të ketë lidhje me detyrën e tij. Hetuesit dyshojnë se personat e përfshirë kanë vepruar kundrejt pagesës, ndërsa porositësit e ngjarjes mund të jenë persona të tjerë. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Lini një Përgjigje