Tregtarët e drogës gjenin strehim në hotele, bujtina ose tek banorët që bashkëpunonin. Gjoba të ndryshme u vendosën ndaj objekteve të akomodimit për mosdhënien e informacionit të kërkuar dhe fitimet silleshin në Shqipëri.
20 persona janë arrestuar dhe 19 të tjerë po hetohen pas një operacioni të gjerë kundër trafikut të drogës në Itali.
Sipas mediave italiane, hetimet e autoriteteve italiane zbuluan se pjesë e organizatës së trafikut të drogës ishin edhe shqiptarëve.
Personat që shisnin drogën strehoheshin në hotele, por gjithashtu bashkëpunon edhe me banorë të zonave ku edhe bënin transportimin e lëndës narkotike.Ndërsa blerësit bënin kërkesa për drogë nëpërmjet mesazheve në WhatsApp të drejtuara në numra të ndryshëm italianë.
19 prej të arrestuarve ishin shtetas shqiptarë dhe një italian. Nga policia u sekuestruan mbi 38 000 euro.
Hetimet ndaj grupit shqiptar
Hetimi, i zhvilluar nga strukturat përkatëse në Piacenza gjatë viteve 2021–2025, dokumentoi aktivitetin e një rrjeti që merrej me shitjen me pakicë të kokainës në qytet. Organizata mbështetej kryesisht te shtetas shqiptarë të ardhur posaçërisht për këtë aktivitet, shumica pa precedentë penalë dhe të panjohur për autoritetet italiane.
Struktura kishte ndërtuar një mënyrë funksionimi që shmangte kontaktet e drejtpërdrejta të gjata. Blerësit komunikonin përmes mesazheve në WhatsApp me numra italianë. Një operator merrte kërkesën, siguronte një përshkrim të klientit dhe më pas lidhte kontaktin me shitësin që ndodhej në zonë. Takimi organizohej menjëherë, duke shmangur ekspozimin e palëve dhe duke ruajtur anonimitetin.
Ky model krijoi një formë ndërmjetësimi mes kërkesës dhe ofertës, ku shitësi nuk qëndronte në pika fikse. Ai lëvizte në qytet si çdo person tjetër, frekuentonte ambiente publike dhe përdorte mjete të thjeshta si biçikleta ose skuterë për të kryer dorëzimet. Kontakti final me klientin realizohej në bazë të të dhënave të marra nga operatori, i cili konfirmonte praninë e të dy palëve në vendin e caktuar.
Hetuesit konstatuan se anëtarët e rrjetit strehoheshin në struktura akomoduese ose te persona privatë. Në disa raste, u vendosën masa administrative ndaj subjekteve që nuk kishin deklaruar të dhënat e kërkuara për klientët apo të ftuarit.
Gjatë operacionit, autoritetet arrestuan në flagrancë 20 persona, mes tyre 19 shtetas shqiptarë dhe një italian. Të gjithë rezultonin pa precedentë penalë dhe furnizonin një numër të gjerë përdoruesish nga shtresa të ndryshme shoqërore. Në total u identifikuan 40 përdorues droge nga Piacenza, të moshës 25 deri në 60 vjeç.
Pas përfundimit të dënimit, shtetasit e huaj u dëbuan drejt Shqipërisë dhe nuk u rikthyen më në Itali. Gjatë hetimit u sekuestruan 38,376 euro dhe u dokumentua transferimi i 61,451 eurove të tjera jashtë vendit.
Të arrestuarit rezultojnë kryesisht të rinj, nga 20 deri në 30 vjeç, të rekrutuar për të operuar përkohësisht në shpërndarjen e drogës deri në ndërhyrjen e policisë. Hetimi identifikoi gjithashtu një person në Shqipëri që menaxhonte porositë dhe koordinonte aktivitetin.
Rrjeti përdorte shërbime transferimi parash për të dërguar fitimet jashtë vendit, shpesh duke përdorur identitetet e personave të tjerë pa dijeninë e tyre. Po ashtu, siguroheshin karta telefonike të regjistruara në emra të ndryshëm, të cilat shërbenin për komunikimin me klientët dhe për funksionimin e sistemit të shpërndarjes.
Struktura e zbuluar tregon një model të organizuar dhe të shpërndarë të trafikut të drogës, i cili mbështetej në komunikim të kontrolluar dhe lëvizje të vazhdueshme të anëtarëve.
Shikoni se mund te jetë kompllot i Sorosit.Nuk ka mundësi që shqiptarët të merren me drogë.