TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Tetor 2025, 08:25

"Gjyqi i SKY ECC"/ Kreu i bandës shqiptar dëshmon me gruan dhe motrën: Kisha nevojë për shumë para!

Shkruar nga Pamfleti

"Gjyqi i SKY ECC"/ Kreu i bandës shqiptar dëshmon me gruan

Gjyqi i shumëpritur “Sky ECC” nisi këtë të hënë në Namur. Ai mban këtë emër sepse 58 të pandehurit e kësaj çështjeje janë të lidhur me sistemin e mesazheve të koduara “Sky ECC”, i cili për shumë vite u ka mundësuar kriminelëve të kryejnë aktivitetet e tyre të paligjshme duke i shpëtuar hetimeve të policisë.

Akuzat e ngritura kundër këtyre 58 personave janë të ndryshme: kultivim dhe shitje të kanabisit, mbajtje armësh, vjedhje të energjisë elektrike, pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Shumica e veprave kanë ndodhur midis viteve 2016 dhe 2024.

I pari që u mor në pyetje ishte një shqiptar rreth të tridhjetave, i cili konsiderohet si udhëheqësi i dyshuar i organizatës. Ai e mohoi këtë rol duke thënë se: “Më ngarkojnë me akuza nga të gjitha anët dhe më shumë se ç’duhet. Kur erdha në Belgjikë kisha nevojë për shumë para, por nuk i kam bërë keq askujt. Më vonë kam komunikuar me të tjerët përmes Sky ECC, por nuk ishin urdhra. Nuk e njoh veten fare në profilin që më atribuojnë”.

Kirurgji dhe arratisje në Spanjë

Megjithatë, sjelljet e tij kanë qenë të pazakonta përballë akuzave. Përgjimet kanë treguar se ai koordinoi aktivitetet në plantacionet e ndryshme ku shkonte personalisht. Sipas gjykatësit Hauquier, ai u arratis në Spanjë dhe kërkohej nga policia shqiptare. Thuhet se atje iu nënshtrua një operacioni dhe ndryshoi emrin për të mos u gjetur.

“Kjo është plotësisht e pavërtetë, dhe operacioni ishte për një problem me septumin e hundës”, shtoi ai.

Edhe bashkëshortja e tij është dashur të japë shpjegime për dyshime mbi pastrimin e parave dhe pjesëmarrjen në organizatë. Ajo i hodhi poshtë akuzat me vendosmëri: “Nuk kam bërë asgjë të paligjshme dhe nuk kam asnjë lidhje me ndonjë organizatë”.

Një tjetër anëtare e familjes së udhëheqësit të dyshuar, motra e tij, ishte gjithashtu e pranishme. Ajo duhet të përgjigjej për akuzat e pastrimit të parave. Dyshohet se ajo ka pranuar para në Shqipëri për t’i dërguar më pas në Belgjikë në formë huash familjare.

Kur vëllai i saj u arrestua, ajo u bë menjëherë e dyshuar dhe u arrestua ndërsa ndodhej në Itali.

“Jam e habitur që ndodhem këtu. Kam përdorur një telefon që ma dërgoi vëllai, por nuk e dija që kishte Sky ECC brenda. Për më tepër, aty kishim vetëm biseda familjare. Duhet të them se që nga arrestimi i tij, ka pasur shumë konflikte në familje. Të gjithë punojnë në fushën e drejtësisë dhe nuk duan më të kenë kontakte me të”, tha ajo.

Të martën, pritet të dëgjohen edhe të pandehurit e tjerë, përpara se prokuroria të paraqesë fjalën e saj përfundimtare.

Lini një Përgjigje