
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 48-vjeçarin Kamber Sulçaj si autor të dyshuar të vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi 44 vjeç. Mirëpo ngjarja mbart ende shumë mister.
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa ka ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me këtë ngjarje.
“Fillimisht u tha që kanë qenë bashkë me 3 shqiptarë të tjerë dhe ishin për gjueti. Pse ky person (autori) ishte në atë vend? Pastaj e quajmë rastësi apo për shkaqe banale? Pra një person i armatosur ishte në një vend të caktuar. E dyta, këta po shkonin për gjueti apo jo? Nëse po shkonin për gjueti në cilën zonë”.-shprehet Softa.
Edhe pse arsyeja zyrtare deri më tani është që ngjarja të ketë ndodhur pas një sherri për dritat e gjata të makinës, eksperti Softa thekson se nuk mund të përjashtohen pista të tjera.
“Nuk mund të përjashtohet pista e mundshme që mund të kemi dhe inskenim që mund të jetë për interesa të tjera”.-tha Softa.
Për të gjitha këto arsye dhe pikëpyetje, Fatjon Softa hodhi idenë që grupit hetimor shqiptar t’i bashkohen edhe hetues nga Italia që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes, për faktin edhe sepse viktima është një shtetas italian.
“Unë shpresoj që grupit hetimor mund t’i bashkangjiten dhe hetues italianë, mund ta bënin dhe më profesionale, sepse sa më shumë e trajton më shumë enigmatike duket. Telefonatat, komunikimet, tabulatet, për një kohë të gjatë mund të kontrollohen qoftë për autorin e dyshuar, për personat që ishin me viktimën, qoftë dhe për italianin. Mendojmë, me këto informacione që janë, thuhet që ka qenë i dehur, problematik dhe nuk gjenden gëzhoja. Si ka mundësi në kushtet e errësirës, në një pozicion të vështirë, kush i mblodhi gëzhojat? Kush i mori? Janë metalike apo plastike me rreth metalik nëse janë të armës së gjahut? Si nuk u gjendën në vendin e ngjarjes. Të gjitha këto e bëjnë enigmë. Prandaj ndoshta dhe një grup hetimor nga Italia mund të vijë”.-tha më tej eksperti.
Autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit italian vijon të jetë në arrati. Edhe arma e krimit nuk është gjetur.
Mund te jete vrasje e porositur per ti rrembyr biznesin !