TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Mars 2024, 17:36

Gjykata zemërgjerë për djalin e anëtares së KLP, vetëm 3 vite burg për Rei Metën që vrau me grushte 55-vjeçarin

Shkruar nga Pamfleti
Gjykata zemërgjerë për djalin e anëtares së KLP,
Majtas viktima, djathtas djali i anëtares së KLP

Prokuroria ngriti ndaj tij akuzën “vrajse nga pakujdesia”, duke bërë që dënimi të jetë i ulët, ndonëse 55-vjeçari sot nuk jeton më...

Djali i anëtares së KLP, Nurihan Seiti ja ka hedhur me 3 vite burg për ngjarjen e një viti më parë, që i mori jetën inxhinierit, Armando Meshau.

Ky i fundit u qëllua me grusht nga 33-vjeçari Rei Meta dhe për pasojë gjeti vdekjen, por gjykata është treguar zemërgjerë me të riun dhe e ka dënuar atë me vetëm 3 vite burg. Prokuroria ngriti ndaj tij akuzën “vrajse nga pakujdesia”, duke bërë që dënimi të jetë i ulët, ndonëse 55-vjeçari sot nuk jeton më. Po ashtu, Prokuroria kërkoi 3.6 vite burg, ndërsa gjykata vendosi 3 vite.

Nga ana e saj, pala mbrojtëse ka paraqitur në gjykatë edhe një raport që tregon se 55 vjeçari që ndërroi jetë kishte patur një ndërhyrje bypas në zemër. Si pasojë e goditjeve, Meshau ndërroi jetë pak minuta pas goditjeve. Rei Meta është djali i anëtares së KLP, Nurihan Seiti (Meta).

NGJARJA

Ngjarja e rendë ndodhi në gusht të vitit që lamë pas. Zyrtarisht policia njoftoi se mes dy personave pati një përplasje për “motive të dobëta”.

Por fillimisht u dyshua se Meta kishte shërbyer si sekser për viktimën për një problem me pronat që ky kishte në Vlorë dhe se Meshau nuk i kishte dhënë shpërblimin. Meta dyshohet se ka përdorur emrin e së ëmës, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të nxjerrë përfitime, duke pretenduar se mund të zgjidhte problemet e pronave. Mirëpo ka mbetur në kuadër të dyshimeve, pasi nuk ka asnjë akuzë.

Në rastin që solli konfliktin, viktima Armando Meshau, pretendonte se e kishte gjetur vetë dakordësinë me palën e tretë dhe kishte refuzuar t’i kalonte Metës një apartament që do të ishte pagesa e tij për ndërmjetësimin.

Kjo solli përplasjen në një kancelari dhe pas debatit me fjalë, dy personat janë qëlluar me grushte, gjë që solli rrëzimin dhe më pas vdekjen e Meshaut.

Por vetë Meta e ka mohuar këtë. Ai ka pretenduar se ka qëlluar me grushte Meshaun për t’u vetëmbrojtur dhe se kishte qenë ndërtuesi që e kishte sharë dhe qëlluar i pari.

Lini një Përgjigje