TAGS-AT E JAVËS

Kronike18 Mars 2025, 22:44

Finalizohet ekstradimi i ish-kreut të bandës së Durrësit nga Spanja, Lulzim Berisha mbërrin në Rinas!

Shkruar nga Pamfleti

Finalizohet ekstradimi i ish-kreut të bandës së Durrësit nga

Lulzim Berisha u arrestua më 14 dhjetor të 2023 në Spanjë në kuadër të operacionit të koduar “Sant Joan”.

Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Kështu, finalizohet ekstradimi i tij, pasi u arrestua në Madrid të Spanjës.

Operacioni për kapjen e tij në Spanjë, i koduar “Sant Joan”, u finalizua më 14 dhjetor 2023, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FAST Albania-s dhe FAST Spanjës. Në vijim të këtij bashkëpunimi, Interpol Tirana dhe Interpol Madridi finalizuan procedurën për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, L. B., 54 vjeç. Në vitin 2020, atij i është caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana cilësuese”, kundër 2 ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal”, informon policia.

Lulzim Berisha u arrestua më 14 dhjetor të 2023 në Spanjë në kuadër të operacionit të koduar “Sant Joan”.  Policia e Shtetit asokohe kishte informacione përmes burimeve të inteligjencës që Berisha fshihej në vendin iberik dhe pas njoftimit të autoriteteve atje u bë i mundur lokalizimi dhe më pas prangosja e 52-vjeçarit. Para arrestimit, Lul Berisha fshihej në Spanjë me letra bullgare.

Kujtojmë se në vitin 2016 arriti të dilte nga burgu pa e mbyllur dënimin prej 25 vitesh, duke u liruar me kusht nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës me pretendimet e shkaqeve shëndetësore. Ky vendim në atë kohë erdhi pasi Gjykata e Lartë kishte refuzuar prokurorinë për dënimin me burgim të përjetshëm.

Berisha u arrestua në 2006-ën për aktivitetin kriminal të bandës së Durrësit të kryer në vitet 1998­- 2000 për veprat penale “Vrasjes me paramendim” të kryer në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”. 16 anëtarë të kësaj bande u dënuan në total me 245 vjet burgim nga ish-Gjykata për Krimet e Rënda.

Megjithatë, në janar të vitit 2022 Lulzim Berisha u shpall në kërkim nga Prokuroria e Durrësit për të njëjtën gjë që u lirua në 2016-ën. Shkak rreth 2 vjet më parë u bë pasi Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e lirimit të tij me kusht.

Në vitin 2020, Lulzim Berisha u shpall në kërkim për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, vrasje të vitit 2005, të cilët u zbardhën 15 vite më vonë. Për vrasjen e Lames çështja u pushua, ndërsa aktualisht ishte në kërkim vetëm për Klodian Saliun, i cili u vra në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj teksa po lëvizte me makinën “Mercedes Benz”.

Lini një Përgjigje