Dy persona të cilët ishin pjesë e një rrjeti që falsifikonin pasaporta diplomatike për shtetasit që udhëtonin drejt SHBA-ve, janë arrestuar nga policia.
Një operacion i përbashkët i Policisë së Shtetit me njësinë speciale policore “Joint Shield”, pranë ambasadës amerikanë në Shqipëri ka zbuluar një rrjet të falsifikimit të pasaportave diplomatike me qëllim kalimin e paligjshëm drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në pranga kanë rënë Daniel Morava dhe Guri Pejo të dy banues në Korçë. Moravës i është caktuar masa e sigurisë 'arrest me burg' ndërsa Pejos për shkak të moshës, i është caktuar masa e sigurisë 'arrest shtëpie'.
Policia bën me dije se vijojnë hetimet për 4 persona të tjerë të dyshuar se janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në prill të këtij viti G.I 56 vjeçe u arrestua në Rinas në tentativë për të udhëtuar drejt SHBA me pasaportë diplomatike false që pretendonte se i ishte lëshuar nga një OJF me emrin ‘PBF’.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me Njësinë Speciale Policore “Joint Shield”, në muajin prill të vitit 2023, kanë arrestuar shtetasen shqiptare D. I., 56 vjeçe, në tentativë për të udhëtuar drejt SHBA-së, me një pasaportë diplomatike false, për të cilën pretendonte se ishte e lëshuar nga një OJF e njohur me emrin “PBF”, me seli jashtë teritorit të Republikës së Shqipërisë.
Pas hetimeve të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë, janë identifikuar disa shtetas të dyshuar si të përfshirë në veprimtaritë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave dhe dokumenteve të tjera.
Policia e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me mbështetje nga agjencia federale DSS/OCI pranë ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, ka kryer veprime hetimore në kuadër të procedimit penal, duke përdorur metoda speciale ligjore, në kohë dhe në vende të ndryshme, kryesisht në qarkun e Korçës, në lidhje me trafikimin e shtetasve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga hetimi janë grumbulluar prova për të paktën 4 shtetas shqiptarë të dyshuar të përfshirë në veprimtaritë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të falsifikimit të dokumenteve.
Në bazë të hetimeve të kryera, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka nxjerrë vendimet për ekzekutimin e urdhrave të arrestit për 2 shtetas të dyshuar, si dhe për kontrollin e 4 banesave dhe ambienteve të tjera. Gjatë operacionit të përbashkët me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, janë arrestuar shtetasit D. M. dhe G. P., të dy banues në Korçë. Për shtetasin G. P., Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shkak të moshës", njofton policia.
Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumente dhe pajisje të ndryshme elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, vijojnë.
Lini një Përgjigje