TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Maj 2023, 15:36

Ekzekutimi i Santiago Malkos, GJKKO dënon me 32 vite burg dy të pandehurit

Shkruar nga Pamfleti

Ekzekutimi i Santiago Malkos, GJKKO dënon me 32 vite burg dy të

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 32 vite burg të pandehurit Ilir Selmani dhe Elvis Gaçajn në procesin për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të 2019-tës në Tiranë.

GJKKO dënoi me 25 vite burg Ilir Selmanin, ndërsa për Elvis Gaçajn gjykata dha dënimin me 7 vite heqje lirie. Ndaj Gaçajt janë ngritur akuzat e armëmbajtjes pa leje në disa raste dhe largim nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Ndërsa Selmani akuzohet për bashkëpunim në vrasjen e ish efektivit. Më herët për këtë ngjarje, si bashkëpunëtor në vrasje është dënuar me 25 vite burg edhe Blendi Teta.

Ndërkohë një proces gjyqësor në mungesë vijon për dy vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, të konsideruar si porositës të ngjarjes dhe ndaj 4 personave të tjerë.

Kujtojmë se ish-punonjësi i policisë së kryeqytetit, Santiago Malko mbeti i vrarë mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në një atentat të mirëorganizuar. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 në rrugën “Xhanfize Keko”, kur drejt makinës së 26-vjeçarit u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje. I riu ishte një emër i njohur për autoritetet, pasi në vitin 2016 ka qenë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së kryeqytetit.

Dyshimet janë se Malko u ekzekutua për hakmarrje, pasi mendohet se ishte përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Durrësit, një ngjarje që është zbatuar me të njëjtin mekanizëm siç u vra edhe ish-polici. Për këtë atentat, është dënuar me 25 vite burg Blendi Teta, ndërsa të shpallur në kërkim janë edhe shtetasit Erlis Duka, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.

ekzekutim santiago malko gjkko 32 vite burg

Lini një Përgjigje