Vrasja në Kavajë pasditen e sotme është bërë për hakmarrje. Habib Rexha, 31 vjeç është autori i vrasjes së Arjan Gosës.
Autori është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vrarë në konfliktin me Edmond Gosën. 48-vjeçari Gosa po pinte kafe me të atin, në një lokal kur u qëllua një plumb në kokë që i mori jetën. Ishte ende ditë dhe autori ishte në këmbë. Rexha ka qëlluar vetëm një herë me pistoletë, duke e lënë të vrarë në vend 48-vjeçarin. Lokali ku ndodhi vrasja nuk është shumë larg shtëpisë së viktimës.
"Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit A. G. Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit A. G., i cili është shtetasi Habib Rexha, 31 vjeç. Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 10000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 84 59999, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi."-njofton policia.

Arian Gosa është vëllai i Armand Gosës alias Edmond Gosa. Ky i fundit mbeti i vrarë pas një sherri të ndodhur në një lokal, po në Kavajë më 29 Mars të këtij viti. Një konflikt banal mes 43-vjeçarit dhe bashkëmoshatarit të tij, Sali Rexha alias Altin Rexha, degjeneroi atë pasdite duke bërë që të dy të vrisnin njëri-tjetrin. Njëri goditi me thikë e tjetri me armë zjarri. Armand Gosa i mori jetën Altin Rexhës duke e goditur të paktën 10 herë me thikë. Ndërsa Rexha iu kundërpërgjigj duke e qëlluar me pistoletë. Në momentin e ngjarjes, Altin Rexha ishte me djalin e tij të mitur përdore.
Nga ana tjetër, të dy vëllezërit Gosa kanë qenë të dënuar për një vrasje të ndodhur në vitin 2012. Në atë kohë, ata masakruan me thikë 41-vjeçarin Gentjan Gjuzi. Ngjarja ndodhi po në një lokal në qytetin e Kavajës. Sherri në atë kohë lindi për një shikim dhe solli për pasojë humbjen e jetës së babait të dy fëmijëve, 41-vjeçarit Mentor alias Gentjan Gjuzi.
Lini një Përgjigje