
Një ngjarje e rëndë është raportuar në fshatin Zëmblak të Maliqit, pasi burri ka vrarë bashkëshorten.
Mimoza Mullalli, 46 vjeç është gjetur në një gropë septike ku mblidhen ujërat e zeza. Dyshohet se burri i saj, Gjergji Mullalli, pasi e ka vrarë e ka hedhur aty për të fshehur gjurmët.
Mësohet se të dy kanë qenë në proces divorci dhe kjo dyshohet se ka sjellë ngjarjen e rëndë. Policia ka shpallur në kërkim burrin, pasi nuk është gjetur në banesë.
Trupi është çuar në morg për t’u ekzaminuar dhe kuptuar se çfarë mjeti është përdorur për vrasjen. Ndërkohë policia po kryen kontrolle në zonë për kapjen e autorit.
"Më datë 29.07.2023, rreth orës 20:40, në fshatin Zëmblak, Maliq, në një gropë septike pranë banesës së saj, është gjetur e pajetë, shtetasja L. M., 46 vjeçe.
Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është bashkëshorti i saj shtetasi Gj. M. Nga ana e Policisë janë ngritur grupe kontrolli me qëllim kapjen e tij.
Në lidhje me mjetet që janë përdorur në krim dhe rrethanat e mëtejshme, do ju informojmë pas këqyrjes së trupit të viktimës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes", tha policia.
Lini një Përgjigje