
AMP ka dyshime të forta se efektivët nuk kanë kryer detyrën duke lënë që të ikë nga vendngjarja personin e tretë që dyshohet se ishte në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar materialet në Prokurorinë e Shkodrës ku akuzon efektivët e policisë lokale atje për “shpërdorim detyre” në lidhje me masakrën me 4 viktima në Dobraç.
Sipas burimeve, AMP ka dyshime të forta se efektivët nuk kanë kryer detyrën duke lënë që të ikë nga vendngjarja personin e tretë që dyshohet se ishte në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Tashmë pritet që organi i akuzës të thellojë hetimet në lidhje me grupin e efektivëve që ishin në vendngjarje.
Ende mbetet mister personi që del në video, ndërkohë që dyshohet se ishte Ibrahim Lici, vëllai i Hamza Licit, i vrarë në atentat.
Ka dyshime se Ibrahim Lici të jetë lënë nga efektivët që të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që për autoritetet 32-vjeçari është një nga personat më të kërkuar, për vrasjen e Endri Mustafës.
Ndërkohë Prokuroria e Shkodrës ka shpallur moskompetencën, duke ia kaluar dosjen Prokurorisë së Posçme, për shkak se ka dyshime se ngjarja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.
Si ndodhi ngjarja?
Një makinë në lëvizje me autorët qëlloi me armë zjarri drejt Hamza Licit dhe Arlind Bushatit më 30 tetor.
Lici ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Arlind Bushati luftoi për jetën në spital për disa orë pasi mori një plumb në kokë dhe ndërroi jetë më vonë.
Lici dhe Bushati po udhëtonin nga Shkodra drejt Koplikut me makinën tip Benz me targa kroate, në momentin që u qëlluan.
Viktima Hamza Lici është vëllai i Ibraim Licit, i kërkuar për vrasje.
Në këtë masakër, të vdekur mbetën edhe çifti i qytetarëve që po udhëtonte më motor në momentin e atentatit.
Bashkim Basha dhe Flutura Basha kanë qenë duke udhëtuar me motor kur mjeti tip Benz me të cilin po udhëtonte Lici dhe Bushati ka humbur kontrollin dhe i ka përplasur.
Për shkak të plagëve të rënda Flutura Basha ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha disa ditë më vonë në spital.
Një makinë tip Land Rover model i ri i djegur u gjet në fshatin Grudë e re të Shkodrës 10 minuta pas ngjarjes. Brenda saj u gjetën dy automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në atentat.
Nga ana tjetër në makinën me të cilën po udhëtonin viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati u gjetën tre pistoleta.
Pista kryesore e vrasjes është përplasja mes grupeve të Shkodrës, ndërsa dyshohet për dy autorë të shpallur në kërkim, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani.
Lini një Përgjigje