TAGS-AT E JAVËS

Kronike26 Mars 2026, 10:17

Droga drejt Greqisë përmes Maqedonisë së Veriut, zbardhen detaje nga operacioni; emrat e të arrestuarve

Shkruar nga Pamfleti

Droga drejt Greqisë përmes Maqedonisë së Veriut, zbardhen

Zbardhen detaje nga sekuestrimi i rreth 30 kilogramëve lëndë narkotike në pikën kufitare të Goricës, me destinacion Greqinë përmes Maqedonisë së Veriut.

Operacioni, i koduar “Gorica”, çoi në arrestimin e dy shtetasve grekë, Thomas Kathreptis, 48 vjeç, dhe Antiopi Marinou, 34 vjeçe, të cilët udhëtonin me një automjet me targa greke.

Sipas njoftimit zyrtar, policia kishte siguruar paraprakisht informacione operative se një mjet do të transportonte drogë drejt Maqedonisë së Veriut, me destinacion final Greqinë. Në këto kushte, shërbimet policore organizuan ndjekjen dhe ndërhynë duke ndaluar automjetin në dalje të pikës kufitare.

Gjatë kontrollit të detajuar, përfshirë edhe skanimin, u zbuluan 37 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, të fshehura në një hapësirë të modifikuar në pjesën e poshtme të mjetit. Sasia e sekuestruar arrin rreth 30 kilogramë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar prokurorisë për vijimin e hetimeve.

Operacioni i zhvilluar si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të DVP Korçë dhe Policisë Kufitare, nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e paligjshmërisë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Sekuestrohen 37 pako me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 34 kilogramë, vihen në pranga 2 shtetas grekë.

"Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, strukturat e DVP Korçë në bashkëpunim me DVKM Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë finalizuan operacionin e koduar “Gorica”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit grekë:

-Th. K., 48 vjeç dhe A. M., 34 vjeçe, banues në Greqi.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se një automjet me targa greke do të trafikonte drejt Maqedonisë së Veriut, me destinacion final Greqinë, një sasi me lëndë narkotike, janë organizuar shërbimet e Policisë të cilat bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar dhe u vunë në ndjekje të tij.

Automjeti me drejtues 48-vjeçarin dhe pasagjere shtetasen A. M., u paraqit në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Goricë dhe gjatë procedurave të kontrollit kufitar mbi bazën e analizës së riskut, automjeti u kalua për kontroll në vijën e dytë. Nga dyshimet e krijuara, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore, kaluan këtë automjet për kontroll më të detajuar në skaner, ku si rezultat u gjetën të fshehura, në një vend të krijuar posaçërisht në pjesën e poshtme të mjetit, 37 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 34 kilogramë.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, nga strukturat e policisë u arrestuan në flagrancë dy shtetasit grekë të lartpërmendur për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 34 kg me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, automjeti, dy aparate celulare dhe një shumë eurosh.

Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale", njoftoi policia.

Lini një Përgjigje