Trupi i Shefit Rrapajt është varrosur në varrezat e Roskovecit nga punonjësit e shërbimeve të bashkisë, pasi familjarët refuzuan ta tërhiqnin dhe të organizonin ceremoninë mortore për 80-vjeçarin.
Sipas procedurave për raste të tilla, kur familjarët nuk marrin përsipër varrimin, trupi merret nga morgu dhe ceremoniali kryhet nga strukturat vendore. Varrimi është realizuar pasditen e së mërkurës.
Ngjarja e rëndë ndodhi të martën, më 24 mars, rreth orës 14:30, në fshatin Kuman të Fierit. Sipas informacioneve, një burrë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij dhe më pas i dha fund jetës.
Viktimat janë identifikuar si Shefit Rrapaj, rreth 80 vjeç, i cili dyshohet si autor i krimit, dhe bashkëshortja e tij, Dashuri Rrapaj, 75 vjeçe.
Dëshmia e djalit zbardh tragjedinë në Fier
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Kuman të bashkisë Roskovec, ku një 80-vjeçar vrau bashkëshorten dhe më pas i dha fund jetës.
Sipas burimeve policore, djali i çiftit Rrapaj ka deklaruar në dëshminë e tij se në momentin e krimit ndodhej në Fier për një konsultë mjekësore, fakt i verifikuar edhe përmes kamerave të sigurisë. Ai ka treguar se i ati njihej si person konfliktual, ndërsa zënka e fundit mes tyre kishte ndodhur rreth 10 ditë më parë për një arsye banale.
Konflikti kishte nisur pasi djali kishte hedhur pleh në patatet e mbjella në oborrin e shtëpisë, veprim që kishte acaruar të atin. “Pse u hedh pleh patateve”, mësohet t’i ketë thënë 80-vjeçari, debat që më pas kishte përfunduar edhe në Komisariatin e Policisë së Roskovecit. Sipas dëshmisë, nëna, Dashuria, i dilte gjithmonë në krah të birit gjatë këtyre përplasjeve.
Djali ka rrëfyer se, pasi është kthyer nga Fieri, i ka gjetur prindërit të pajetë në banesë. Fillimisht ka njoftuar një kushëri të tij dhe më pas ka lajmëruar policinë.
Nga hetimet paraprake rezulton se arma e përdorur në krim është e një tipi të vjetër dhe dyshohet të ketë qenë e fshehur që prej vitit 1997, pasi është gjetur e mbuluar me dhe.
Sipas ekspertizës, arma është shkrepur dy herë: një plumb i ka marrë jetën bashkëshortes, ndërsa tjetri i ka shkaktuar vdekjen 80-vjeçarit, i cili dyshohet se është vetëvrarë.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie të rëndë familjare.
Lini një Përgjigje