TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Prill 2023, 15:28

Do pastronin 18.4 mln euro të mafies italiane, dënohen me 21 vite burg truproja dhe kunati i Rezart Taçit; biznesmeni ende në arrati

Shkruar nga Pamfleti
Do pastronin 18.4 mln euro të mafies italiane, dënohen me 21 vite burg
Rezart Taçi

Plani i ideuar që nga maji 2021 parashikonte që Françesco Zummo, për të shmangur sekuestrimin e autoriteteve italiane, duhej të transferonte rreth 19 milionë eurot nga dy llogari bankare në Linchestine deri në bankën e Canton Ticinos në Zvicër, pastaj nga Zvicra pranë llogarisë së tij bankare të hapur në ‘Alpha Bank’ në Tiranë.

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 21 vite burg kunatin dhe shoferin e biznesmenit Rezart Taçit, të akuzuar se do pastronin 18.4 milionë euro të mafies italiane.

Sipas vendimit, shoferi Bledar Lilo është dënuar me 10 vite burg, ndërsa kunati i Taçit, Artur Balla me 11 vite burg.

Rezart Taçi, Artur Balla, Bledar Lilo me shtetasit italian Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë akuzohen për “veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal””.

Taçi u shpall në kërkim për këto akuza 2 vite më parë në nëntor 2021, ndërsa dy të akuzuar si bashkëpunëtor të tij u arrestuan në Tiranë. Të dyshuar të tjerë si pjesë e grupit u ndaluan në Itali, përfshi 91 vjeçarin  Francesco Zummo, i hetuar më parë nga magjistrati Giovanni Falcone si i dyshuar për favorizimin e organizatës mafioze “Cosa Nostra”, i cili u la me masë sigurimi arresti në shtëpi.

Skema e pastrimit të parave

Francesco Zummo dhe Rezart Taçi flasin bashkë në telefon më datë 6 tetor 2021, kur ekonomisti i Zummos, Fabio Petruzella, shkon në Palermo për të qetësuar bosin mbi fatin e 18 milionë eurove të transferuara nga Zvicra në një llogari bankare në Alpha Bank në Tiranë, por që në mënyrë të papritur nuk mund të transferohet në Singapor sipas planeve. Ekonomisti, edhe ai i arrestuar tashmë, ia kishte besuar operacionin Rezart Taçit, i cili bashkë me njerëzit e tij në Tiranë kishte ndjekur të gjitha fazat, por pa informuar (ndoshta nuk e dinte as ai) që pak ditë pas derdhjes së shumës me 28 korrik 2021, Drejtoria kundër Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave e kishte bllokuar llogarinë e Zummos, duke e sinjalizuar atë transfertë si të dyshimte edhe pranë SPAK-ut.

Zummo vendos t’i telefonojnë Rezart Taçit, duke i kërkuar atij informacione direkte se përse Alpha Bank i ka bllokuar ato para. Rezart Taçi siguron plakun Zummo mbi faktin se paratë e tij janë të sigurta dhe në të njëjtën kohë thotë se për këtë shumë prej 18 milionë euro, ai garanton me pasuritë e veta.

Në dosje tregohet se pas bllokimit të dyshimtë të llogarisë së Zummos, bosi plak, i kërkon pikërisht Rezart Taçit që t’i japë një financim paradhënie prej 500 mijë eurosh për disa shpenzime urgjente që duhet të bëjë në Milano nëpërmjet Fabios. Mesa duket Rezart Taçi kishte lënë të besojnë se dispononte shuma të mëdha dhe se kjo paradhënie prej 500 mijë eurove cash, nuk ishte problem për të. Taçi i premtoi shumën, por duke e shtyrë vazhdimisht dorëzimin dhe kështu, as edhe vetë prokuroria nuk e di nëse u dha apo jo ajo shumë. Nga gjithë operacioni i pastrimit të parave, Rezart Taçi bashkë me Fabio Petruzellan, do të përfitonin një fitim prej 16 % të shumës së pastruar, e barabartë me 3.088.000 euro.

Plani i ideuar që nga maji 2021 parashikonte që Françesco Zummo, për të shmangur sekuestrimin e autoriteteve italiane, duhej të transferonte rreth 19 milionë eurot nga dy llogari bankare në Linchestine deri në bankën e Canton Ticinos në Zvicër, pastaj nga Zvicra pranë llogarisë së tij bankare të hapur në ‘Alpha Bank’ në Tiranë. Për të hapur këtë llogari bankare Zummo erdhi personalisht në Shqipëri në datën 17 qershor 2021 bashkë me Fabio Petruzella-n. Çuditërisht të dy italianët të pritur në aeroportin e Rinasit nga Artur Balla, kunat i Rezart Taçit dhe ish truproja e biznesmenit, Bledar Lilo (të dy të arrestuar më pas nga SPAK) shkojnë për të fjetur në Podgoricë dhe jo në Tiranë. Ndoshta kjo lidhej me një propozim të mëparshëm që vetë Rezart Taçi u kishte bërë, duke sugjeruar të organizonte transfertën e parave nëpërmjet “bankës në Mal Të Zi në pronësi të mikut të tij, Presidentit Gjukanoviç”, një propozim që mesa duket ka rënë. Kështu të nesërmen në mëngjes, pasi u rikthyen në Tiranë dhe hapën dy llogari në ‘Alpha Bank’, dy italianët u rinisën për në Romë.

Vërtetë paratë u bllokuan, dhe u arrestuan njerëzit e Rezar Taçit, por ende mbetet enigmaë dilema e “garantimit me asetet e Taçit”, i cili ka pasur një inventar gjigant pasurish të patundshme, e sipas të gjitha gjasave, Cosa Nostra për mashtrimin që ju bë, asetet arrin t’i marrë një për një.

Më 5 gusht 2021 SPAK informoi prokurorinë e Palermos nga ku u arrit më pas në arrestimet vitit 2022. Prokuroria e Palermos bëri arrestimin e tre italianëve, ndërsa SPAK atë të dy shqiptarëve. I vetmi që nuk ka përfunduar ende në burg është pikërisht Rezart Taçi, i shpallur në kërkim e që prej vitesh nuk jeton më në Shqipëri. /Pamfleti

par taci gjkko

Lini një Përgjigje