
Policia ka vënë në pranga një tjetër person për sherrin në Hamallaj, ku dy familje u përplasën për rrugën.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme, ku Martin Nikolli, anëtar i Gardës së republikës, me 3 vëllezërit e tij dhunuan barbarisht Pjetër Kaçin së bashku me djemtë e tij. Konflikti për çështje pronash mes familjeve në Hamallaj, ka nisur për një rrugë në lagjen “Hidrovor”.
Gardisi qëlloi me armë në ajër duke terrorizuar zonën. Ai ra në pranga, ndërkohë që rezulton se ka qenë shofer i kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla. Por policia njofton se u arrestua edhe i vëllai.
“Në vijim të veprimeve që po kryhen në lidhje me konfliktin e ndodhur paraditen e sotme, në Hamallaj, Durrës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manzë arrestuan në flagrancë shtetasin A. N., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Po në vijim të veprimeve, nga AMP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manzë, u arrestua në flagrancë shtetasi M. N., 50 vjeç, banues në Tiranë (gardist).
Arrestimi i tyre u bë pasi ditën e sotme, në Hamallaj, janë konfliktuar për motive pronësie,
duke përdorur mjete të forta, me shtetasit P. K., K. K. dhe S. K. (anëtarë të një familjeje).
Gjatë konfliktit shtetasi M. N. ka qëlluar në ajër, me armën e shërbimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike””, njofton policia.
Lini një Përgjigje