
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vënë në pranga gardistin që dhunoi dhe terrorizoi me armë fqinjët e tij në Hamallaj.
Martin Nikolli, shoferi dhe shoqëruesi i kryetares së Kuvendit, u përfshi në një sherr me fqinjët e tij dhe ai përdori armën e shërbimit. Menjëherë u bë shkarkimi, ndërsa tani në mbrëmje AMP njofton se është bërë arrestimi i tij.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) nën drejtimin e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprave penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike” punonjësin e Gardës së Republikës Inspektor M. N., pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt me sende të forta dhe ka përdorur armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ka qenë në detyrë, duke kryer veprime të kundërligjshme.
Veprimet proceduriale u kryen mbi bazën e njoftimit për një ngjarje me armë të ndodhur sot në fshatin Hamallaj Durrës, ku punonjësi i Gardës së Republikës ka kryer veprime antiligjore, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime me dashje të disa shtetasve. Në përfundim të veprimeve të para hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, u krye “Arrestimi në flagrancë” i shtetasit M. N., 50 vjeç, me detyrë N/Oficer Sigurie në Grupet e Shoqërimit, pranë Gardës së Republikës të Shqipërisë”, njoftoi AMP.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme, ku gardisti Nikolli me 3 vëllezërit e tij dhunuan barbarisht Pjetër Kaçin së bashku me djemtë e tij. Konflikti për çështje pronash mes familjeve në Hamallaj, ka nisur për një rrugë në lagjen “Hidrovor”.
Sipas dëshmisë së dhënë nga djemtë e familjes Kaçi përpara grupit hetimor, kryefamiljari Pjetër Kaçi, 80-vjeç, ka qenë duke ecur, kur vëllezërit e familjes Nikolla i kanë zënë rrugën dhe i kanë thënë "pse sheh".
Martin Nikolla, me profesion punonjës Garde dhe gjithashtu shofer personal i Nikollës, e ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë duke qëlluar në ajër. Mësohet se ai ka qëlluar 4-5 herë me armë zjarri, por fatmirësisht nuk u plagos njeri dhe djemtë e familjes Kaçi janë dhunuar me shkopinj bejsbolli.
Lini një Përgjigje